Sylejman Selimi kthehet në burg

Lajmin e ka konfirmuar Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi

Ish-Gjenerali i UÇK-së, Sylejman Selimi, është kthyer në burg. Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi.

“Po është kthyer”, u shpreh Thaçi në një përgjigje elektronike.

Ish-Gjeneral Selimi është trajtuar për 12 ditë në QKUK, në Klinikën e Otorinolaringologjisë.

Selimi më 8 janar ishte shtruar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore.

Ndërsa, Drejtori i Klinikës së Otorinolaringologjisë, Hajdin Thaçin për portalin rtv21.tv pati konfirmuar se gjendja e Selimit nuk ishte e keqe, por ai kishte thënë se i nevojitet trajtim mjekësor për disa ditë pasi që ka probleme me marramendje.

“Pacienti ka nevojë për trajtim mjekësor, pasi që i njëti ka probleme me marramendje dhe jo stabilitet në lëvizje, kjo po i paraqet vështirësi edhe në të ecur”, u shpreh Thaçi përmes telefonit për rtv21.tv

Kujtojmë se më 24 maj 2013 ishte arrestuar gjeneral, Sylejman Selimi dhe ishte shpallur fajtor për një vepër penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga Gjykata Themelore në Mitrovicë më 27 maj 2015 dhe ishte dënuar më 6 vjet burg. Ndërsa, më  7 qershor 2018 është mbajtur rigjykimi për “Drenica 2”, më 11 qershor është mbajtur për “Drenica 1”. Për këtë edhe avokati i tij, Tomë Gashi pati thënë ditë më parë se pa asnjë të drejtë ligjore po vazhdon të mbahet në burg Sylejman Selimi tash e tre muaj./21Media

Back to top button