Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka apeluar për kujdes

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka apeluar për kujdes

Moti i nxehtë dhe temperaturat e larta të paralajmëruara për ditën e sotme, kanë rritur numrin e pacientëve për kontrolle në Qendrën Klinike të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë.

Qytetarët në këto ditë të nxehta ankohen më së shumti në temperaturë, vjellje, tension dhe të ngjashme, ndërsa mjekët rekomandojnë qëndrim në hapësira të mbyllura, dhe mos ekspozim të drejtpërdrejtë në diell, duke shmangur daljen jashtë prej orës 11:00 deri në orën 17:00.

Një qytetare e Mitrovicës që kishte sjellë djalin për trajtim në QKMF, tha se djali i saj që dy ditë ka temperaturë të lartë, kokëdhembje dhe vjellje.

“Djalin e kam prej temperaturës sëmurë, po i dhemb gjysma e kresë, pjesa e djathtë…që dy ditë, tani e ka rrokë fort…Nga temperaturat e larta, ashtu po mendojmë, nuk e di…Ka vjellje, barkqitje jo”, tha ajo.

Mjekët që ishin kujdestarë në repartet e Mjekësisë Familjare dhe Pediatrisë nuk kishin dashur të flasin para kamerës, por mjekja në pediatri bëri të ditur se vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë kërkuar trajtim mbi 100 fëmijë,

Mjekja tjetër në repartin e Mjekësisë Familjare, Luljeta Voca, nuk pranoi të flas fare me ekipin tonë dhe nuk ka dashur të jap statistika.

Ajo tha se është shumë e zënë me pacientë, edhe pse në momentin kur KosovaPress e vizitoi në zyrë, ajo ishte me telefon në dorë dhe nuk kishte pacientë.

KosovaPress-i ka mësuar jo zyrtarisht se repartin e Mjekësisë Familjare deri në orën 14:00, e kanë vizituar mbi 80 pacientë.

Në anën tjetër, Sylejman Uka, doktor në repartin e Emergjencës, ka thënë se temperaturat e larta ditëve të fundit kanë shtuar numrin e pacientëve në këtë repart.

Sipas tij, veç pacientëve kryesisht me helmime, ndihmë kërkojnë edhe pacientët tjerë të cilët janë me sëmundje kronike.

Ai ka rekomanduar qytetarët, në veçanti pleqtë, të rinjtë dhe shtatzënat, të mos i ekspozohen temperaturave të larta, sidomos prej orës 11:00 deri në orën 17:00, por sa më shumë të qëndrojnë në shtëpi dhe të përdorin sidomos ujë.

“Ka disa ditë që ka pasur temperature të larta dhe normalisht edhe këtu në emergjencë ka pasur fluks të shtuar të pacientëve. Pacientët të cilët më së shumti kanë kërkuar ndihmë janë ata me intoksikacione alimentare, do të thotë me helmime, mirëpo kërkojnë ndihmë edhe pacientët tjerë të cilët janë me sëmundje kronike, zakonisht me sëmundjet kardio vaskulare…  Mjekësia Familjare mbyllet, prandaj tek ne më shumë gjatë natës na frekuentojnë pacientët, por edhe ditën prej orës 12:00 deri në 17:00 të mbrëmjes….Gjatë natës së kaluar ka qenë numri rreth 80 pacientë brenda 12 orëve …Unë kisha rekomanduar, sidomos kategorive të ndryshme, pleqve, të rinjve, grave shtatzënë, që mos t’i ekspozohen temperaturave të larta, sidomos gjatë ditës prej orës 11-12 deri në ora 17:00, sa më shumë të qëndrojnë në shtëpi, të përdorin sidomos ujë”, theksoi Uka.

Edhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka apeluar për kujdes, pasi sot temperaturat do të jenë deri në 35 gradë Celsius dhe konsiderohet si ditë që paraqet rrezik për të gjitha moshat.