Thaçi: Duke menduar që e pranon e kam nënshkruar nominimin e Kurtit

Sipas Thaçit partia fituese duhet ta bëjë hapin

Presidenti i vendit ka thënë se qytetarët e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë janë duke pritur që të themelohen institucionet. Prandaj, sipas tij, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje duhet të pranojë ose refuzojë të themelojë Qeverinë e re bazuar në rezultatet e 6 tetorit.

Pas takimit me ish-ambasadorin e misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, Hashim Thaçi tha se është në vullnetin e spektrit politik që ta përmbyll me sukses procesin e 6 tetorit.

Thaçi mes tjerash tha se i mbetet kryetarit të partisë që doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit që ta bëjë hapin, ndryshe duhet ta deklarojë refuzimin si mandatar për udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës.

“Koha po kalon, prandaj unë si president i vendit duke e parë angazhimet e kryetarit të partisë së parë që ka dalur në zgjedhjet e 6 tetorit, unë duke menduar që do ta pranon sepse është një rregull i pashkruar… unë e kam nënshkruar atë ditë nominimin e Z.Kurtit si kandidat për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Kosovës, ai nominim i nënshkrimi tim është ende në tavolinën time të punës këtu. Shpresoj që nuk kalon kohë të gjatë dhe Z.Kurti që të reflekton në kuptimin e pranimit të nominimit, në rrethana të tjera duhet ta deklarojë refuzimin”, ka thënë Thaçi.

Për këtë ai u shpreh i bindur që do të respektojë Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet.

“Në çdo veprim timin do ta respektoj në tërësi kushtetutën dhe ligjet. Respektoj shumë opinionet e ekspertëve por unë nuk shkel as kushtetutë as ligj”, u shpreh ai.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kanë zhvilluar disa takime, ku kanë diskutuar për arritjen e një marrëveshjeje për koalicion qeverisës. Por, marrëveshja s’është arritur ende.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, e përcjellë nga Lidhja Demokratike e Kosovës./21Media

Back to top button