Thaçi: Nga paneli presim ide kreative të përshpejtimit të arritjes së marrëveshjes

“Mesazhi që presidenti Trump i ka dërguar presidentit serb Aleksandar Vuçiq inkurajues për Kosovën”

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka konsideruar si shumë të rëndësishme pjesëmarrjen e Kosovës në Konferencën për Siguri në Mynhen të Gjermanisë

Sipas tij takimi i sotëm me komisionerin Hahn ka pasur për qëllim që të diskutohet liberalizimi sa më i shpejtë i vizave për Kosovën. Thaçi shton se është kërkesë e të gjithëve, edhe komisionerit Hahn që të pezullohet taksa për të hapur mundësinë e dialogut, megjithatë Thaçi e konsideron të pakuptueshëm kushtëzimin e Serbisë për vazhdimin e dialogut.

Presidenti deklaron se ata do të vazhdojnë me takime të ndryshme, me liderë të shteteve të ndryshme përfshirë këtu edhe SHBA-në, si dhe nesër do të bëhet mbeldhja e panelit ku përveç presidentit të Serbisë, ndërmjetësues do të jetë diplomati gjerman Wolfgang Ischinger, e i pranishëm do të jetë edhe komisioneri Johaness Hahn, shkruan rtv21.tv.

Thaçi përmendi edhe letrën që presidenti amerikan Donald Trump e ka dërguar për nder të 11 vjetorit të pavarësisë, ku është deklaruar se e ardhmja është e sigurt në kuptimin e hapjes së perspektivave të dialogut, negociatave dhe marrëveshjes.

Për presidentin është edhe më inkurajues mesazhi që presidenti Trump i ka dërguar presidentit serb Aleksandar Vuçiq ku përmendet domosdoshmëria e njohjes reciproke, e kjo tregon se SHBA ka një angazhim të theksuar, të drejtpërdrejtë e të vendosur për mbylljen e konfliktit shekullor mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga debati i panelit të nesërm Thaçi tha se pret ide kreative të përshpejtimit të arritjes së marrëveshjes, e cila duhet të jetë sa më cilësore, sa më e pranueshme dhe e aprovuar globalisht./21Media

Back to top button