Thaçi sqaron: Në Novi Sad, Kosova s’ka qenë e ftuar si shtet i pavarur

Thaçi ia kujtoi Ramës se Shqipëria nuk kufizohet me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën e fundvitit foli edhe për minishengenin. Kreu i vendit sqaroi se në takimin e parë që ka ndodhur në Novi Sad mes Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë, Kosova nuk ka qenë e ftuar fare as e trajtuar si shtet i pavarur e sovran.

“Ky është një fakt të cilin në vecanti Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria duhet ta kenë parasysh, sepse Kosova është njohur si shtet i pavarur nga këto shtete. Si rrjedhojë e refuzimit të Kosovës në Novi Sad dhe injorimit të saj, të dy ftesat që më janë dërguar edhe nga Zaevi dhe Rama i kam refuzuar, megjithëse ftesat kanë qenë si president i Republikës së Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran.”, deklaroi Thaçi.

Republika e Kosovës është e gatshme të nënshkruajë marrëveshje në kuadër të iniciativave rajonale kur këto iniciativa e trajtojnë Kosovën si vend të pavarur dhe sovran, e jo në iniciativa ku trajtohen ndryshe.“Arsyeja tjeter argumenti tjetër se s’mund të kemi bashkëpunim rajonal vetëm kur takohemi në një vend të caktuar, Kosova nuk e ka asnjë çështje të hapur me Shqipërinë, Maqedoninë apo Malin e Zi, çështje fundamentale mbetet Serbia, si rrezik për paqe dhe stabilitet në rajon, si dhe si aleati i vetëm i Rusisë në rajon. Të gjithë e dimë që Rusia synon destabilizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nuk po kërkoj të mos bashkëpunojnë, por te iniciativat rajonale të respektojnë vendimet e tyre që Kosova të trajtohet si shtet i pavarur.”, deklaroi Thaçi.

Ndërsa u shpreh se mbetet të shihet se si do ta trajtojë Serbia Kosovën në takimin në Beograd.

Thaçi ia kujtoj Ramës se Shqipëria nuk kufizohet me Serbinë.

“Shqipëria nuk kufizohet me Shqipërine bash kerkund. Kurse ne kufizohemi me Serbinë, për çka është përgjegjëse vet Kosova.”, tha ai. Shtoi se nuk është e mjaftueshme lëvizja vetëm me letërnjoftime me Serbinë, ani pse ka pasur një marrëveshje të tillë, ndërsa përmendi nevojën e njohjes së pasaportave në udhëtime në Serbi.

Më 10 tetor kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, gjatë një takimi në Novi Sad u pajtuan që brenda vitit 2021 të eliminohen kontrollet kufitare dhe pengesat e tjera të lëvizjes së lirë brenda rajonit. Kanë vazhduar edhe takime të tjera në kuadër të kësaj iniciative, më 9 nëntor në Ohër, ndërsa më 21 dhjetor në Tiranë./21Media

Back to top button