Uran Ismaili jep një lajm të mirë rreth çmimit të barnave

Shëndetësia, prioritet shtetëror

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka bërë të ditur se çmimet e barnave në të gjithë vendin do të jenë të njejta. Ismaili ka thënë se kjo po bëhet me qëllim të mbrojtjes së qytetarëve dhe për t’iu ndihmuar farmacistëve.

“Që nga fillimi i mandatit kam marrë shumë ankesa të qytetarëve se çmimet e barnave, të cilat ata po i blejnë, dallojnë nga barnatorja në barnatore, duke i vënë ata para detyrimit që të bëjnë shpenzime të larta. Por, edhe kësaj padrejtësie që ka dëmtuar xhepin e qytetarëve për rreth dy dekada, po i japim fund. Përmes iniciativës për finalizimin e Udhëzimit Administrativ për rregullimin e çmimeve të barnave, qytetarët tanë, kudo që jetojnë, në fshat ose në qytet, do të mundë ta blejnë ilaçin e tyre me çmim të njëjtë në të gjithë Kosovën. Gjithë këtë po e bëjmë që t’i mbrojmë qytetarët tanë nga shpenzimet dhe t’i ndihmojmë farmacistët që të orientohen vetëm në ofrimin e shërbimit profesional farmaceutik.”, ka shkruar Ismaili në Facebook.

Ministri Ismaili ditë më parë ka deklaruar se shëndetësia do të vazhdojë të jetë prioritet shtetëror edhe gjatë vitit 2019. Pas rritjes së pagave për profesionistët shëndetësorë, Ismaili ka thënë se e gjithë vëmendja do të jetë për pacientët./21Media

Back to top button