Votojnë në Kosovë, nisen drejt Shkodrës

Pas votimeve koha për futboll!

Dhjetëra qytetarë nga Kosova sot pasi kishin kryer obligimin qytetar për të votuar kanë udhëtuar drejt Shkodrës për ta përcjell ndeshjen në mes të përfaqësueses së Kosovës dhe Turqisë e cila luhet sinte në Shkodër.

Bujar Baliu tha se e ka kryer obligimin e tij qytetar për të votuar dhe po marrin rrugën për ta mbështetur përfaqësuesen e Kosovës në Shkodër.

“Po shkojmë me shiku lojën e përfaqësueses tonë. Kemi votuar tash po shkojmë me shikuar ndeshjen”, theksoi Baliu

Edhe Agnes Binaku sot në mesditë udhëtoi në Shkodër për ta parë nga afër ndeshjen Kosovë-Turqi.

“Po shkojmë me shikuar Kosovën. E kemi kryer votimin tash u nisëm për Shqipëri”, theksoi Agnesi.

Edhe Besim Selmani sot rreth orës 13:00 me disa miq me veturën e tij udhëtoi për në Shkodër. Ai tha se e ka kryer obligimin qytetar duke votuar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Po shkojmë me parë Shqipërinë dhe me pa lojën Kosovë-Turqi. Po, kemi votuar”, theksoi Selmani.

Ndërsa, Tahir Ibrahimi nga Gjilani duke treguar se po shkon me mbështetë Kosovën për të fituar ndaj Turqisë tha se qysh në orët e hershme të mëngjesit ka kryer obligimin qytetar.

“Jemi nga qyteti i Gjilanit, jemi duke shkuar sot me mbështetë përfaqësuesen e Kosovës. Po, kam votuar sot herët në orën 7:00 dhe tash po shkojmë me mbështet Kosovën dhe me fitu sot”, tha Ibrahimi.

Edhe Leonora Henci nga Prishtina ishte njëra nga qytetarët e Kosovës që udhëtoi sot për në Shkodër.

“Me shikuar lojën, mandej me shfrytëzuar edhe ndonjë ditë pushim. Po, kam votuar për këtë u nisëm kaq vonë”, theksoi Henci.

Ndërsa, Fadil Demiri nga Prishtina tha se po udhëton për ta shikuar ndeshjen dhe për pushime në Shqipëri.

“Po shkoj me pa ndeshjen pastaj me pushuar. Po kemi votuar”, tha Demiri.

Deri në mesditën sotme pak vetura kanë kaluar vendkalimin kufitar Kosovë-Shqipëri, ndërsa pas orës 13:00 shumë vetura u panë në këtë vendkalim që ia kishin mësyrë Shqipërisë. Mësohet se për shkak të zgjedhjeve kësaj radhe numri i përkrahësve për përfaqësuesen e Kosovës është më i vogël

Back to top button