Vuçiq-Hahn-it: Serbia e gatshme për vazhdimin e dialogut, pasi Kosova ta heqë taksën

Vuçiq po ashtu tha se masat e Prishtinës çojnë në destabilizim të të gjithë rajonit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Komisionari Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn biseduan sot rreth dy orë për vendimin e Prishtinës për rritjen e taksës 100 përqind ndaj mallrave serbe. Presidenti Vuçiq paralajmëroi për pasojat e mundshme të veprimeve të Prishtinës për të rritur tatimin mbi mallrat serbe, duke theksuar se masat e Prishtinës çojnë në një destabilizim të plotë të të gjithë rajonit dhe mund të çojë në përshkallëzim më të thellë të konfliktit.

Vuçiq tha se Serbia është e gatshme për vazhdimin e dialogut me Kosovën, pasi që Prishtina zyrtare të heqë dorë nga taksat. “Serbia nuk do të ndërmarrë kundërmasa, pasi dëshiron të jetë partner i besueshëm në rajon, Evropë dhe në botë”, u shpreh ai.

Komisionari Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn tha se stabiliteti afatgjatë kërkon pajtim dhe marrëdhënie të mira fqinjësore.

Ai shprehu mbështetje të plotë për përpjekjet për të zgjidhur krizën në mënyrë paqësore, duke respektuar normat e së drejtës ndërkombëtare, si dhe marrëveshjet rajonale të arritura.

Johannes Hahn do të takohet edhe me krerët e lartë shtetëror të Kosovës me presidentin Thaçi, kryeparlamentarin Veseli, kryeministrin Haradinaj si dhe liderët e opozitës. Ndërkaq, me fillim nga ora 16:45, Hahn do t’iu drejtohet mediave përmes një konference.

Back to top button