VV: Ahmeti ka prioritet dialogun me Serbinë, e jo kryeqytetin

Vetëvendosje e kritikon kryetarin e Prishtinës

“Komuna e Prishtinës: Premtimet e pambajtura gjatë vitit 2018”, ishte tema e tryezës të mbajtur sot nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë numëruar një varg dështimesh në shumë fusha nga kryetari i kësaj komune, Shpend Ahmeti.

Kryetari i Qendrës së Prishtinës në Lëvizjen Vetëvendosje, Arben Vitia ka thënë se mandati i parë i Ahmetit ka qenë i fokusuar në zhbërjen e krimit, krijimin e mirëqenies dhe barazi për qytetarët e Prishtinës, ndërsa pas kësaj faze në mandatin e dytë, veçanërisht në vitin e dytë ka ndodhur e kundërta, siç tha ai, pa asnjë rezultat në të gjithë sektorët. Vitia ka thënë se përveç që janë ndalur investimet, janë ndalur edhe projektet e nisura. Sipas tij, Plani i mobilitetit, parqet, spitali i qytetit, infrastruktura dhe shumë projekte të tjera kanë dështuar tash me qeverisjen e kryetarit Ahmeti.

Po ashtu ai ka thënë se me marrjen e mandatit të dytë në dhjetor të vitit 2017, është bërë takimi i parë në mes të kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryetarit Ahmeti për të vazhduar pastaj edhe me shumë takime të tjera gjatë vitit, ku në fokus të deklaratave publike u diskutuan shumë gjëra dhe tema të rëndësishme për Prishtinën, si komunikacioni, ajri i ndotur, policia spitali i qytetit dhe të gjitha ato që rrjedhin nga programi me të cilin LVV ishte prezantuar para qytetarëve në atë kohë, dhe sipas Vitisë, në çdo diskutim në diskursin publik dhe në deklaratat publike të kryeministrit dhe të kryetarit Ahmeti ishte Prishtina dhe qytetarët e saj.

Ndërsa, sipas Vitisë, diskursi publik i këtyre takimeve vendosin Prishtinën në një cep dhe dialogu me Serbinë u vë në qendër të diskutimit. “Në ndërkohë me zhvillimet në tre muajt e fundit, edhe diskursi publik i këtyre takimeve vendosi kryeqytetin në një cep, në një anë dhe negociatat me Serbinë u vunë në qendër i diskutimit. Kjo përfundimisht u vulos me marrjen e detyrës së kryetarit si bashkë drejtues në këto bisedime. Këtë në fakt e vërtetojnë edhe deklarimet publike të kohës së fundit edhe nga vet z. Ahmeti, i cili udhëheqjen në Prishtinë e lë vetëm si opsionale varësisht nga rrjedha e negociatave. Prandaj, as nuk është për t’u çuditur, se pse projektet të cilat nuk kanë pasur asnjë pengesë objektive për të filluar dhe një pjesë e tyre edhe për të mbaruar gjatë këtij viti, nuk kanë sjell rezultat e pritura”, theksoi Vitia.

Ish drejtori për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës ka thënë se ndalja e ndërtimeve pa leje në mandatin e parë, nuk ka vazhduar në mandatin e dytë. “Përkundër asaj që gjatë mandatit të parë një nga arritjet kryesore ka qenë ndalja e ndërtimeve pa leje dhe vënie e rregullit në këtë sektor, kjo nuk ka vazhduar në mandatin e dytë. Çfarë po i pengon tani inspektorët që ta kryejnë detyrën e tyre”, ka thënë ai.

Edhe aspektin ambiental Vitia e ka quajtur të dështuar në vitin 2018.

Ndërsa, Liburn Aliu, deputet nga LVV ka thënë se kur është larguar Nora Kelmendi nga komuna e Prishtinës, është bërë “dasmë” në komunë, sepse siç tha ai, Kelmendi ka qenë pengesë e krimit në Komunën e Prishtinës. “Në komunën e Prishtinës ku është hequr Nora Kelmendi është bërë “dasmë”. ‘Valle’ në të gjitha drejtoritë për shkak se ka qenë pengesa kryesore në luftimin e krimit në komunën e Prishtinës. Komuna e Prishtinës tash, duhet ta kemi të qartë se është t’u rrëshqit drejt oligarkisë. Ky pushtet i lidhur edhe me pushtetin qendror, tash po e shohim mirë që po lidhet edhe me negociatat. Do të jetë pushtet i cili tani më është shkëputur nga qytetarët dhe do të jetë në shërbim vetëm të bizneseve të mëdha. Bizneset e mëdha do të jenë ato që do të përfitojnë dhe ka filluar një gjë e tillë të vërehet qysh tash”, theksoi Aliu.

Ish drejtori i Kulturës në komunë të Prishtinës, Yll Rugova ka theksuar se plani i mobilitetit është i vonuar dhe nuk do të realizohet, të cilin e quajti si mjaft të rëndësishëm për kryeqytetin. “Sot jemi në dhjetor dhe ende nuk e kemi planin e mobilitetit të përfunduar. Pra, jo që se kemi pasur atëherë, por se kemi as sot. Edhe në këto rrethana është më se e pa mundur që një plan i cili është kaq i madh të besohet se mund të realizohet brenda këtij mandati”, theksoi Rugova.

Nora Kelmendi Ish-drejtoreshë e Kadastrit në Komunën e Prishtinës tha se pothuajse asnjë premtim i kryetarit aktual nuk është mbajtur, derisa ka thënë se i vetmi angazhim i Ahmetit është përkushtimi i tij ndaj rrjeteve sociale.

Të pranishmit e tjerë në këtë tryezë, që ishin prezent edhe shumë qytetarë të Prishtinës pohuan se dallimet nga mandati i parë më mandatin e dytë janë të mëdha. Ata u ankuan edhe për infrastrukturën rrugore dhe mirëmbajtjen e tyre.

Back to top button