Zbatimi i MSA-s, element kyç në rrugën e Kosovës drejt BE-së

Qytetarët e Kosovës kanë perceptim pozitiv ndaj Bashkimit Evropian

Në analizën e publikuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, me temën “Kosova, Integrimi Evropian dhe MSA-ja: Një analizë mbi perceptimet e qytetarëve”, qytetarët kanë thënë se përfitimi me i madh i hyrjes së Kosovës në BE, është e drejta dhe liria për të udhëtuar, për të studiuar, punuar dhe për të jetuar kudo në Bashkimin Evropian.

Mbështetja e qytetarëve për integrimin e Kosovës në BE tregohet edhe me votën e tyre dërmuese prej 75 për qind, nëse do të votonin në një referendum për hyrjen e vendit në BE. Derisa, 81 për qind e anketuesve janë shprehur të bindur se procesi i integrimit në BE do të gjeneronte një zhvillim të rëndësishëm ekonomik në Kosovë.

Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, e ka mbështetur këtë analizë, duke thënë se Kosova nuk ka kohë për të humbur në rrugën e saj evropiane, por duhet të marrë vendimet e vështira.

Ajo kërkoi bashkimin e të gjitha grupeve politike dhe të bëjnë reformat e duhura që rrjedhin nga MSA-ja, pasi kjo marrëveshje është kyçe drejt integrimit në BE.

“Analiza e politikave që publikohet sot nga GLPS-ja dhe PIPS-i jep një pasqyrë shumë të qartë se çka duhet të bëhet dhe sa i qëndrueshëm është zbatimi i reformave të përcaktuara në MSA dhe ERA, do të kontribuojnë në zhvillimin e Kosovës dhe në ecjen përpara të Kosovës në agjendën evropiane. Pse vihet ky theks i vazhdueshëm në MSA, mund të pyesni, sepse edhe MSA-ja edhe ERA janë instrumente kyçe dhe udhërrëfyese kyçe për zhvillimin e Kosovës dhe për progresin e saj në rrugëtimin drejt Evropës. Por, edhe se MSA-ja ofron një mundësi unike për të forcuar sundimin e ligjit që është thelbësore për shumë reforma të tjera në Kosovë”, tha Willems.

Katerina Lopo nga zyra e BE-së në Kosovë, theksoi se është e rëndësishme që Kosova ka perspektivë evropiane, por, Kosova ka humbur kohë në punën e saj në zbatimin e MSA-së.

Ndërsa kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Blerta Deliu, u shpreh se MSA-ja rrit përgjegjësinë e Kosovës që të zbatoj reformat e kërkuara. Sipas saj, zbatimi i MSA-së paraqet rrugën e parë drejt BE-së.

“Duke pasur parasysh përcaktimin e vendit tonë për integrim në BE, MSA-ja paraqet rrugëtimin e parë tonë në mekanizmat dhe përmbushjen e afateve kohore për t’i ndërmarr të reformat e nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këto reforma konsideroj se do të ndërmerren në mënyrë progresive duke përfshirë kështu përmbushjen e të gjitha obligimeve juridike të shtetit tonë, që do të thotë miratimin, zbatimin e legjislacionit të BE-së, por gjithsesi edhe përafrimin e legjislacionit tonë me atë të BE-së”, theksoi Deliu-Kodra.

Mirëpo, kritika për mos punë ndaj qeverive të kaluara pati deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca sipas të cilit, nuk ka integrime evropiane pa reforma në drejtësi, sepse ky është guri themeltar i integrimit.

Sipas tij është koha kur nuk duhet t’i bëhet qejfi askujt, por të veprohet në zbatimin e reformave, të cilat nuk janë kryer nga qeveria e kaluar, e cila ishte e madhe. Konjufca tha se Kosova është ‘në bisht’ të integrimeve evropiane.

Ndërkohë, deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi, theksoi se Kosova është në Evropë, por për nga niveli i zhvillimit dhe i mirëqenies qytetare është ende larg. Edhe Isufi u pajtua se qeveritë e kaluara nuk kanë bërë sa duhet, porse u shpreh i bindur se me Qeverinë Haradinaj gjendja ka ndryshuar në substancë.

Back to top button