Zyra e Ramës: Kosova pa qeveri, prandaj u ftua Thaçi në Samitin e Minishengenit

“Kosova është ftuar në nivelin më të lartë”

Zyra e shtypit e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, reagoi pas deklaratave të kryeministrit në largim, Ramush Haradinajt se nuk kishte marrë ftesë për Samitin e Minishengenit Ballkanik që do të mbahet këtë fundjave në Tiranë.

Kryeministria shqiptare bën të ditur se formati i takimeve rajonale për këtë çështje është i tillë me pjesëmarrjen e drejtuesve më të lartë shtetërore. “Nisur nga një deklaratë bërë nga kryeministri i dorëhequr i Kosovës sqarojmë se duke pasur parasysh formatin e takimeve rajonale si edhe faktin që në Kosovë ende nuk është formuar qeveria e re, Kosova është ftuar në nivelin më të lartë njësoj si në takimin e Ohrit, përmes ftesës drejtuar Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi”.

Haradinaj pas mbledhjes së sotme të Qeverisë kishte deklaruar se ende nuk ka marr ftesë për të marrë pjesë në Samitin e minishengen-it, por edhe nëse do të ftohej nuk  do të marrë pjesë.

Më 21 dhjetor të këtij viti do të mbahet mbledhja e radhës në kuadër të bisedimeve për “minishengenin ballkanik”. Ideja e “minishengenit”  është kundërshtuar fuqishëm institucionet e Kosovës, në anën tjetër kryeministri shqiptar, Edi Rama pas Samitit të Ohrit mbajtur më 9 nëntor 2019 pat deklaruar se Kosova u vetpërjashtua pa asnjë arsye nga “Shengeni Ballkanik”.

Më 10 tetor kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev,  gjatë një takimi në Novi Sad u pajtuan që brenda vitit 2021 të eliminohen kontrollet kufitare dhe pengesat e tjera të lëvizjes së lirë brenda rajonit./21Media

 

Back to top button