Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, i shoqëruar nga inspektorët e Inspektoratit të Tregut, kanë bërë inspektime gjatë ditës së sotme në disa biznese.

Krasniqi ka thënë se inspektimet po bëhen për të parë sa po respektohet vendimi për ndarje të bylmeteve nga ato bimore, në ato shtazore.

“Së bashku me ekipin e inspektorëve, kryeshefin për të vizituar nga afër për të parë se sa po zbatohet vendimi ynë, i nxjerr ditë me parë sa i përket ndarjes fizike të djathërave, bylmeteve nga ato bimore ne ato shtazore, dhe njëkohësisht sa po zbatohet distanca, po ashtu përzierjet e tyre. Këtë rast, ne vizituam tri markete të mëdha, dhe secilin market kemi hasur parregullsi, dhe sa i përket ndarjeve fizike… dikund nuk ishte ndarja siç kemi kërkuar”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se gjatë këtyre inspektimeve janë gjetur mashtrime në deklaracionin e produktit, me ç’rast edhe janë marrë masa ndaj marketeve.

“Kemi gjetur emërtime që shënojnë djathë, dhe ka përmbajtje bimore. Dhe në këtë rast, inspektoriati së bashku me ne, larguam nga tregu ato produkte të cilat janë faktikisht janë të vendosura në mënyrë mashtruese. Unë do të kërkoj nga inspektorati se të gjithë ata operatorë, të gjithë ato produkte të merren masa dhe të procedohen në procedura të mëtutjeshme…Sot bëhet konfiskimi i tyre, proces verbalet dhe ato do të drejtohen për gjykatë”, ka thënë Krasniqi.

Më 11 shtator Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të vajit të palmës dhe importit të djathit dhe produkteve të ngjashme të djathit me yndyrë bimore (vaji i palmës).

Me këtë vendim obligohen mekanizmat inspektues të institucioneve të Kosovës që t’i inspektojnë dhe njëkohësisht edhe t’i obligojnë operatorët ekonomikë të bëjnë ndarjen e produkteve të qumështit me yndyrë bimore (vaj palme) prej atyre me origjinë shtazore nëpër pikat tregtare në tregun e Kosovës.

“Ndalohet përkohësisht importi i vajit të palmës, dhe importi i djathit dhe produkteve të ngjashme të djathit të prodhuar me yndyrë bimore (vaj palme)”, thuhet në pikën e parë të këtij vendimi.