​Abdixhiku: Vaksinohuni dhe mbrohuni, nga shteti mos prisni gjë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kritikuar përsëri Qeverinë për menaxhimin e pandeminë duke thënë se ‘praktikantët janë në aksion’.
Sipas tij, Kosova është e renditur në 5 vendet e fundit në botë për nga numri i të infektuarve për kokë banori, ndërsa ka përmendur se SHBA-ja ka kthyer Kosovën në vend me rrezikshmëri të lartë.
Abdixhiku i ka quajtur masat e mbylljes tragjedi njerëzore dhe varfërim ekonomik, duke thënë se mosmenaxhimi dhe mosinspektimi nga Qeveria, pasojnë me masa ekstreme.
“Vendet e rajonit, ndërsa, vazhdojnë jetën e tyre në hapje. Ato ecin para sepse kanë përgjegjshmëri shtetërore. Kanë kontrolle të jashtëzakonshme, inspektime të rregullta, qendra vaksinuese mobile, masa stimuluese e ndëshkuese, kanë shtet që bën punë! Shteti ynë se bën asnjë nga këto. Praktikantët tanë, punë kanë, por të tjera janë ato. Disa protestojnë ndaj vetes – merreni me mend – të tjerët heqin kapela në rekorded e zeza në vend; ca punë konsiderojnë edhe numrin e telefonatave që njëri i bën; e ai kryesori ka vendosur t’u ndajë infermierëve pak lëmoshë; se për t’i parë e mbështetur as që bëhet fjalë”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Ai, Qeverinë e Kosovës e ka quajtur ‘praktikantë’ duke thënë se disa protestojnë kundër vetes, e të tjerët heqin kapelat në rekordet e zeza në vend.
“Kosova në rënie të lirë sepse pushtetarët tanë ditën që morën pushtet harruan për çfarë janë. 14 shkurtin e morën si festë e si fund, e si garancë që çkado që bëjnë – edhe kur s’bëjnë gjë – nuk ka rëndësi. Po e shohin veten të paprekshëm, prandaj dhe sillen kështu. Kjo arrogancë natyrisht se do të merr edhe përgjigjen e vet – populli sheh – po ç’na duhet kjo përgjigje kur 77 tragjedi familjare i kemi pa mbyllur javën ende”, ka shkruar Abdixhiku.
Në fund, Abdixhiku iu ka bërë thirrje qytetarëve të vaksinohen dhe të mos presin, sipas tij, nga shteti asgjë
“Qytetarë, vaksinohuni dhe mbrohuni. Nga shteti mos prisni gjë – janë në delir vetëlavdate e mohim krize edhe në kohë morti mbarë nacional. Spitalet janë të mbushura përplot. Mjekët i kemi të lodhur e stërngarkuar, të ofenduar me lëmoshë e të pakët në numër pasi i larguan 575 punonjës shëndetësorë – po këta. Na duhet një reagim kolektiv për ta përmbysur këtë keqmenaxhim”, ka thënë ai./21Media

Back to top button