Kasapolli-Dugollit: A e keni orientuar politikën te ajo se çka po “shitet në rrjetet sociale”?

(Lajm i përditësuar)
Analisti politik Gezim Kasapolli ka kritikuar qasjen e qeverisë, duke ngritur dilema rreth prioriteteve të saj, veçanërisht në raport me politikat sociale dhe ato të sigurisë.
Sipas tij, fokusi në masa si paga e 13-të mund të lërë në hije obligimet ndaj institucioneve të sigurisë dhe sektorëve të tjerë shtetërorë.
“Ju po i jepni pagën e 13-të, kurse obligimet që i keni ndaj ushtarëve dhe institucioneve po mbesin anash. A e keni orientuar politikën tuaj në atë se çka shitet në rrjetet sociale?”, tha Kasapolli.
Në përgjigje, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, mbrojti qeverinë, duke thënë se ekzekutivi aktual ka prioritet të qartë në forcimin e sektorit të sigurisë.
Sipas tij, qeveria ka bërë investime të konsiderueshme në ushtri, duke rritur numrin e pjesëtarëve dhe intensifikuar trajnimet dhe ushtrimet ushtarake.
“Qeveria Kurti është qeveria e vetme pas luftës që ka kthyer orientimin në ushtri. Trajnimet, ushtrimet dhe numri i ushtarëve janë dyfishuar”, u shpreh Dugolli.
Debat i fortë në ”Click”, Kasapolli-Dugollit: Dikush po rren këtu
Analisti politik Gezim Kasapolli ka kritikuar deklaratat e partive politike lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se qëndrimet e tyre janë kontradiktore dhe pa vullnet real për zgjidhje. Këtë kritikë e bëri në ”Click” të RTV21 duke replikuar deputetin e VV-së Enver Dugollin, i cili tha se ”Kemi dërguar ftesa për partitë opoztare, rreth çështjes së Presidentit”.
Sipas tij, palët politike po japin deklarata të ndryshme për ekzistencën e diskutimeve, duke krijuar paqartësi në opinion publik.
“Dikush po rren këtu, partitë opozitare po thonë që nuk kanë diskutime, ndërsa ju po thoni që ka diskutim”, u shpreh Kasapolli.
Ai shtoi se problemi kryesor nuk është mungesa e opsioneve, por mungesa e vullnetit për të arritur një marrëveshje për presidentin.
“Mua më duket që problemi kryesor është që nuk po duam me gjet zgjidhje, këto janë krejt pallavra”, tha ai./RTV21/21Media