​ATK nxjerr Rregulloren për Parandalimin e Konfliktit të Interesit për stafin e saj

Duke pasur parasysh natyrën e punëve dhe duke vlerësuar rreziqet e dëmtimit të integritetit të ATK-së, nëpërmjet konfliktit të interesit, Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë Kundër Korrupsion – AKK ka hartuar dhe miratuar Rregulloren e Brendshme për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.
Siç njofton ATK, me këtë rregullore janë vendosur kufizimet e punëve jashtë institucionit të ATK-së (dhe kritere për t’u punësuar jashtë institucionit). Rregullorja po ashtu kufizon marrëdhëniet kontraktuale, mbron informatat e besuara dhe njëkohësisht rrit nivelin e llogaridhënies për deklarim dhe menaxhimin e konfliktit të interesit, si dhe pika të tjera.
ATK falënderoi qytetarët për partneritetin e treguar deri më tani për raportimin e parregullsive tatimore nga ana e zyrtarëve të saj, njëherit ju bënë thirrje qytetarëve dhe institucioneve tjera, që çfarëdo dyshimi që kanë në lidhje me shkeljen e këtyre rregullave të raportojnë përmes linjës pa pagesë 0800-80-800.
Kujtojmë se ATK vitin e kaluar në bashkëpunim me Programin e USAID-it për Qeverisjen Ekonomike në Kosovë ka hartuar Planin për Përmirësimin e Integritetit të ATK-së i cili plan fokusohet në rritjen e transparencës, rritjen e llogaridhënies, rritjen e performancës, si dhe zvogëlimi e diskricionit të zyrtarëve për keqpërdorim të detyrës zyrtare, duke automatizuar proceset e punës dhe vendosjen e rregullave strikte për ruajtjen e integritetit të ATK-së.

Back to top button