Dështoi votimi për themelimin e institucionit të Operës, mungojnë deputetët në seancë
Kuvendi i Kosovës ka dështuar të miratojë propozim vendimin e Qeverisë së Kosovës për themelin e Operës së Kosovës si institucion i shërbimit publik. Me 63 deputetë të pranishëm në sallë, vetëm 53 votuan, për çka votimi për themelimin e këtij institucioni është shtyrë për pjesën tjetër të seancës e cila pritet të vazhdojë pasditen e sotme.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se me themelimin e institucionit të Operës e çojnë përpara programin qeverisës.
Kurti derisa ka arsyetuar propozimin e ekzekutivit, ka thënë se ka ardhur koha që Kosova të themelojë operën e saj, që do të hap dyert gjatë vitit 2022 dhe do të jetë në shërbim të Filarmonisë, operës dhe baletit.
Kurti ka thënë se themelimi i këtij institucioni nuk do të ketë implikime financiare në buxhetin e vitit 2021.
Siç ka deklaruar Kurti, përzgjedhja e objektit do të bëhet nga Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prishtinës.
Deputetët kanë shkuar në pauzë dhe seanca pritet të vazhdojë në orën 15:30, ku në rend dite është edhe debati parlamentar lidhur me 100 ditët e Qeverisë Kurti.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?