​Haxhiu: Nuk jemi për Zajdenicën e Thaçit, nuk jemi as për të Mustafës

 

Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i LDK-së Isa Mustafa sot gjatë ditës kanë vazhduar polemikat rreth Asociacionit mtë Komunave Serbe.

Vetëvendosja ishte ajo e cila përmes një komunikate për media akuzoi kryeministrin Hoti për “ringjalljen” e kësaj teme.

Kurse, përmes një postimi në Facebook lideri i LDK-së, Isa Mustafa, tha se Gjykata Kushtetuese ka vërtetuar se kjo marrëveshje nuk cenon kushtetutshmërinë e vendit.

Pas reagimit të Mustafës, reagoi ish-ministrja e Drejtësisë, nga VV-ja Albulena Haxhiu.

Ajo tha se aktgjykimi i GJK-së praktikisht hedh poshtë idenë e një “Zajednice” çfarë kanë nënshkruar Thaçi në prill 2013 dhe Mustafa në vitin 2015.

“Aktgjykimi i GJK-së praktikisht hedh poshtë idenë e një “Zajednice” çfarë kanë nënshkruar Thaçi në prill 2013 dhe Mustafa në vitin 2015. Parimisht e prakitikisht mund të thuhet se nuk mund të ketë edhe Republikë edhe Zajednicë. Isa Mustafa që paska reaguar me shumë vrer duke tentuar ta justifikojë vetën se ai i përket ‘Zajednicës’ së 2015-ës ka harruar se edhe atë të 2013-ës e ka mbështetur. Sikurse në shumë pika Mustafa e Thaçi janë vetëm dallim kohor”, shkroi ndër të tjera Haxhiu në Facebook.

Ajo shkroi se, VV-ja i ka kundërshtuar e i kundërshton ashpër të dyja.

“Ne nuk jemi për Zajdenicën e Thaçit sikurse nuk jemi as për atë të Mustafës, sepse ato janë të dyja “Zajednicë” e Serbisë, për të cilën ju kemi paralajmëruar me kohë dhe kundërshtuar fuqishëm. E dimë tash që jeni në sikletin e përpjekjes së tretë, por jeni pa legjitimitet, pa ligjshmëri. Ju mund t’i zotoheni Vuçiqit, po ato zotime vlejnë vetëm për ju. Sovraniteti dhe unitariteti i Kosovës nuk mund të ndryshohen. Kosova është Republikë”, shkroi Haxhiu në Facebook. /21Media 

Back to top button