​“Hidrodrini”: Nuk ka tregues që uji i pijshëm është shkaktari i helmimit të qytetarëve të Deçanit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” pas takimit që pati të premten me përfaqësues të institucioneve shtetërore e shëndetësore, thotë edhe njëherë se nuk ka tregues që uji i pijshëm të ketë qenë shkaktar i shqetësimeve shëndetësore dhe simptomave që janë paraqitur nga banorët e zonave të prekura.
“Është konfirmuar dhe konstatuar se bazuar në analizat e gjertanishme (16.07.2021) nga IKSHPK të cilat edhe ishin në dispozicion dhe u prezantuan në takim nga ana e IKSHPK-së, nuk ka tregues që uji i pijshëm të ketë qenë shkaktar i shqetësimeve shëndetësore dhe simptomave që janë paraqitur nga banorët e zonave të prekura, të cilët kanë kërkuar ndihmë në QKMF në Deçan”, thuhet në sqarimin e kompanisë “Hidrodrini”.
“Hidrodrini” po ashtu ka ardhur në përfundim se ndërprerja e ujit të pijshëm për zonën në fjalë, ka qenë vendim jo i duhur, sepse është në kundërshtim me procedurat që zbatohen në këso raste pasi siç është thënë, mund t’i ketë orientuar qytetarët për furnizim nga bunarët (puset), private, e që mund të jenë potencial kontaminimi.
Po ashtu është kërkuar që të ndërmerren urgjentisht masa në trajtimin e sistemeve të Ujsjellësit të cilat do rrisin dhe përmirësojnë sigurinë fizike të komponentëve të ujit të sistemit furnizues.

Back to top button