Kosova, nikoqire e Kampionatit Botëror Universitar në Hendboll
Kosova do të jetë nikoqire e Kampionatit Botëror Universitar në Hendboll i cili do të mbahet me datat 11 – 17 korrik 2022.
Federata e Sportit Universitar të Kosovës do të pres 32 ekipe universitare dhe rreth 500 sportistë e studentë nga e gjithë bota.
Gjithashtu, u bë e ditur se përkrahja shtetërore për organizimin e këtij kampionati u sigurua sot përmes nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit trepalësh ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, dhe Federatës së Sportit Universitar të Kosovës.
MKRS përmes një postimi në Facebook, ka thënë se do të mbështesë organizimin e këtij kampionati në vlerë prej 100,000.00 eurove.
Ndërsa, bëhet e ditur se MAShTI do të siguroj përkrahje infrastrukturore si: akomodimin e 500 sportistëve në Qendrën e Studentëve, ofrimin e shërbimeve funksionale në Menzën e Studentëve dhe sigurimin e palestrës sportive “1 Tetori” për zhvillimin e kampionatit./21Media