​Kurti: Kemi kriminelë të luftës në institucionet e vendeve të Ballkanit Perëndimor

 

 

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka deklaruar se procesi i dialogut me Serbinë duhet të përfundojë me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve.

Ai në një deklarim për media pas darkës së organizuar nga kryeshefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell, ka thënë se kishte një dakordim që takimi i radhës do të mbahet në njërin nga vendet e Ballkanit Perëndimor, por nuk ka dhënë më shumë detaje.

Kurti ka thënë se në Bruksel ka shtruar integrimin sa më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund të ecin shumë më shpejt nëse i përmbahen tri vlerave të demokratizimit, të luftohen autokracitë në Ballkan, të luftohen oligarkitë dhe të eliminohen nga skena politike dhe institucionet kriminelët e luftës dhe të paqes. Edhe më tej, në Ballkanin Perëndimor kemi edhe kriminelë të luftës dhe të paqes që dominojnë në institucione”, ka thënë Kurti duke aluduar në liderët e shtetit të Serbisë.

Ndërkohë që data e takimit të radhës së dialogut është paraparë rreth datës 22 qershor, Kurti nuk ka dashur të konfirmojë datën e saktë të takimit.

“Nuk mund ta them tani saktësisht, por do të ketë takim për të diskutuar se si të vazhdohet me dialogun më tej, cili duhet të jetë kapitulli i ri i dialogut. Kemi nevojë të dakordohemi për ecjen e procesit përpara, sepse nuk mund të vazhdojmë sikurse ishte vitet e fundit. Duam dialog si palë të barabartë, ku thelbi që tashmë e ka thënë presidenti amerikan Joe Biden, por edhe shumë liderë tët tjerë botërorë, se zgjidhja e ka emrin në formën njohja reciproke, e cila do të kontribuonte shumë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkan. Ky është takim i kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë dhe do të shohim sa do të kemi dakordim dhe ku do të kemi dakordim për agjendën e ecjes përpara”, ka thënë Kurti.

Ndërkohë që opozita kërkon platformë për dialog, kryeministri Kurti ka theksuar se në këtë drejtim do të ketë një takim me krerët e opozitës dhe se do të ketë një diskutim në Kuvend lidhur me marrëveshjet e arritura deri tani me Serbinë.

“Ata (bashkësia ndërkombëtare) e kuptojnë se ne jemi të thirrur të paraqesim qëndrimin tonë të ri dhe në anën tjetër e kuptojnë se nuk ka trashëgimi të lavdërueshme për kontinuitet. Ne jemi përgjigja e duhur mendoj dhe nuk jemi kundër dialogut në parim, por jemi për dialog parimor, ku Kosova nuk është objekt në tryezë, por subjekt rreth saj. Me një lidhje të re transatlantike në njërën anën dhe me sinkronizim me BE-në, dialogu mund të ketë një të ardhme më të mirë në muajt apo vitet në vijim, sesa deri më tash që prej nisjes së tij në Bruksel”, ka theksuar Kurti.

Ai ka folur edhe për liberalizimin e vizave për çka shfaqi shpresën se Gjermania si vend mik i Kosovës, do të ndihmojë në këtë drejtim.

“Ne kemi shpresë dhe besim te Gjermania, e cila do ta përdorë fuqinë e saj që edhe vendet skeptike për Kosovën ta ndryshojnë qëndrimin e tyre. Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret teknike që janë më shumë se dyfishi se shtetet tjera përreth, por imazhi politik nuk është më i miri për Kosovën, por besoj se Gjermania do ta bëjë maksimumin që vendet si Franca, Holanda ta eliminojnë “perden” e skepticizmit ndaj Kosovës”, u shpreh Kurti.

Ndërsa për vaksinimin, kryeministri Kurti edhe një herë ka shprehur bindjen se do të arrihet 60 përqindëshi i vaksinimit të qytetarëve të Kosovës këtë vit.

Back to top button