​Nuk miratohet amandamenti për ndërtimin e Akademisë Ushtarake në Aqarevë

Amandamenti për ndërtimin e Akademisë Ushtarake në Aqarevë, ka ngjallur debat në Kuvendin e Kosovës. Ky propozim i Partisë Demokratike të Kosovës nuk ka marrë përkrahjen e shumicës, dhe për këtë deputetja Ganimete Musliu ka deklaruar se kjo dëshmon se kush po mbron vlerat e luftës.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka njoftuar se ky amandament nuk ka marrë përkrahjen e mjaftueshme për miratim.
“Me 12 vota për, me 54 vota kundër dhe me 5 abstenime, Kuvendi nuk e miratoi amendamentin 42”, ka thënë Konjufca.
Për këtë ka reaguar Musliu, e cila ka thënë se kryeministri do të duhej të kërkonte votat e LVV-së për miratimin e këtij amandamenti.
“Shpreh keqardhje për amendamentin i cili nuk kaloj dhe kishte të bëjë me ndërtimin e akademisë ushtarake të UÇK-së në Aqarevë. Kam pritur që në këtë seancë të paktën kryeministri do të reflektonte dhe do të kërkonte nga deputetët e LVV-së që ky projekt të kalonte sepse nuk ishte një shumë e madhe e cila do ta prishte strukturën e buxhetit të Kosovës. Por, megjithatë këtu shihet se kush vërtetë me vepër punon për mbrojtjen e vlerave të luftës dhe kush është kundër tyre”, ka deklaruar Musliu.
Ajo është shprehur e bindur se as amandamentet tjera të propozuara nga ajo nuk do të miratohen, meqë këto nuk po gjejnë mbështetje nga shumica. Për këtë ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
“Veçse deputete akuza të tilla mendoj se janë të tepërta. Se mbrojtja e vlerave të luftës është që 22 vjet. Musliu: Edhe unë thash nuk e kemi bërë që 22 vjet, hajde të reflektojmë se sot e kemi momentin kur atje po gjykohet lufta e pastër e UÇK-së. Atëherë që akuza të jetë parimore duhet të jetë 22 vjeçare, jo tash”, janë shprehur ata gjatë votimit të amandamenteve për projektbuxhetin 2022.
Ndërtimi i Akademisë Ushtarake në Aqarevë, ishte propozuar në vlerë prej 210 mijë euro./KP

Back to top button