​Stoltenberg: Referendumet e rrejshme ruse nuk kanë legjitimitet

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dënoi sot referendumet e organizuara nga Rusia në Ukrainë dhe i premtoi presidentit ukrainas se aleatët do të ngriheshin për të drejtën e vendit të tij për vetëmbrojtje.
“Referendumet e rreme të organizuara nga Rusia nuk kanë legjitimitet dhe janë një shkelje e dukshme e ligjit ndërkombëtar. Ato zona i përkasin Ukrainës”, njoftoi Stoltenberg në Twitter, pas bisedës me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Luftërat janë të paparashikueshme. Duhet të kuptojmë se mund të zgjasë shumë dhe se duhet të jemi gati të vazhdojmë të ndihmojmë Ukrainën për një kohë të gjatë”, paralajmëroi ai më vonë në një takim me përfaqësuesit socialistë të Parlamentit Evropian.
Stoltenberg theksoi nevojën që vendet e NATO-s të rrisin prodhimin e armëve dhe municioneve, në mënyrë që ata të mund të ofrojnë më shumë pajisje për parandalimin dhe mbrojtjen tonë, por edhe për të ndihmuar Ukrainën.
Ai dënoi retorikën bërthamore të presidentit rus Vladimir Putin dhe përshkallëzimin e konfliktit me Ukrainën.
“Çdo përdorim i armëve bërthamore është i papranueshëm. Ai do të ndryshojë plotësisht natyrën e konfliktit dhe Rusia duhet ta di se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet”, tha ai.

Back to top button