​Sveçla takoi shefin e DEA-s, diskutuan për angazhimin e përbashkët në luftimin e trafikimit me narkotikë

 
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka takuar shefin e Operacioneve Ndërkombëtare në DEA, George S. Papadopulous dhe ekipin e tij në Uashington DC, ku kanë diskutuar për situatën aktuale, sukseset e arritura nga Kosova në luftimin e trafikimit me narkotikë, si dhe sfidat me të cilat po përballen institucionet e Kosovës.
Sveçla ka shkruar në Facebook se kanë dëgjuar për shqetësimet me të cilat po përballet bota për shkak të trafikimit me narkotikë, mënyrat më efikase për adresimin e këtyre problemeve dhe angazhimin e përbashkët si partnerë.
“Prezantuam punën e mirë që Policia e Kosovës ka bërë gjatë vitit të kaluar në luftimin e trafikimit me narkotikë e që po vazhdon edhe gjatë këtij viti, si dhe angazhimin për ta larguar Kosovën nga lista e vendeve ku zhvillohen veprimet e tilla kriminale. Kam shprehur gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim dhe shkëmbim të informatave për luftimin e grupeve kriminale, nevojën për forcimin e kontrollit të kufinjëve, nevojën për bashkëpunimin policor me vendet e rajonit si dhe partnerët e tjerë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Tutje ai ka thënë se Papadopulous ka vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë të Kosovës, përfshirë edhe aksionin “Adriatiku” i cili ka rezultuar me kapjen e 415 kg kokainë dhe ka potencuar se bashkëpunimi me partnerët është më se i domosdoshëm për të qenë efikas dhe për të arritur rezultate më të shpejta.
“Andaj, i siguruam që Kosova është e vendosur të jetë partner në luftën e pakompromis të krimit të organizuar dhe trafikimit me narkotikë”, ka shkruar në fund Sveçla./21Media

Back to top button