“​Termokosi” fillon furnizimin me ngrohje

Ndërmarrja Publike “Termokos” ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për fillimin e parakohshëm të furnizimit me ngrohje.
Fillimin e furnizimit me ngrohje e ka nisur kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ka uruar për një sezon të mbarë ngrohës.
Ai ka falënderuar menaxhmentin e NP “Termokos” dhe gjithë punëtorët për angazhimin dhe kontributin, që kanë dhënë për funksionimin e ndërmarrjes.
“Unë gjithmonë e kam përmendur “Termokosin” si një storie suksesi”, ka thënë Ahmeti.
Ndërkaq, kryeshefi ekzekutiv i “Termokosit” Arsim Fetahu ka falënderuar Ahmetin për mbështetjen e vazhdueshme, që ka ofruar për ndërmarrjen dhe bashkëpunimin e shkëlqyer përgjatë këtyre viteve.
Pas nënshkrimit të aneks kontratës për furnizim me energji me KEK-un, NP “Termokos” ka filluar sot të marrë sasitë e para të energjisë. Gradualisht energjia termike do të nisë të shpërndahet në rrjetin e ngrohjes, ndërsa efekti i saj pritet të vërehet nesër në orët e mëngjesit tek konsumatorët.
“Bazuar në Rregulloren për kushtet e përgjithshme të furnizimit me energji të ZRRE-së, përkatësisht nenit 6 të saj, pikës 2 dhe 3, në raste si këto kur temperaturat e ajrit janë më të ulëta se 12 gradë Celzius, atëherë mund të fillojë furnizimi i jashtëzakonshëm me ngrohje. Sado që, ky është një furnizim i jashtëzakonshëm me ngrohje, dhe si rrjedhojë edhe fillim i parakohshëm i sezonit ngrohës 2021/2022, shpresojmë për një sezonë të mbarë dhe të suksesshëm ngrohës”, thuhet në njoftim./21Media

Back to top button