​Vetingu në dorën e qeverisë së re

 

Vetingu vazhdon të konsiderohet si mundësia e vetme për të rikthyer besimin në sistemin e drejtësisë në vend, por që një proces i tillë assesi të realizohet. Që pas shpalljes së pavarësisë, vetingu në drejtësi ka qenë thuajse premtimi kryesor i partive politike, por që realizimi ka munguar, përkundër disa iniciativave që janë ndërmarrë nga qeveri të ndryshme.

Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti, kishte themeluar grupin punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështje të reformës në sistemin e drejtësisë, me ç’rast ky grup ka dorëzuar raportin që përfshin katër skenarë të cilët mund të përdoren.

Opsioni i parë është vazhdimi i status quo-së apo gjendjes ekzistuese. Opsioni i dytë adreson problemet përmes ndryshimeve ligjore që kanë të bëjnë me llogaridhënien. Opsioni i tretë parasheh mundësinë e adresimit të të metave në llogaridhënie përmes masave të kombinuara, përkatësisht, vetingut në njërën anë dhe përmirësimit të performancës dhe disiplinimit përmes ndryshimeve ligjore në anën tjetër. Ndërkaq opsioni i katërt sheh si zgjidhje zhvillimin e veting-ut për gjyqtarë dhe prokurorë.

Por, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese organizatat që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë thonë se tashmë çështja e vetingut i mbetet qeverisë së re që do të formohet pas zgjedhjeve, ndërsa ministri në detyrë i Drejtësisë thotë se gjatë këtij muaji do të shohin se për cilin nga katër opsionet do të vendosin.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se e vetmja mënyrë për të kthyer besimin e qytetarëve në sistem të drejtësisë është të bëhet një veting i thellë.

Rreze Hoxha, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se mungesa e stabilitetit politik po ndikon në të gjitha proceset reformuese të vendit, përfshirë edhe vetingun në drejtësi.

Ajo potencon se cilado qeveri që vjen në pushtet duhet ta ketë si prioritet vetingun në drejtësi.

Pjesë e grupit punues për hartimin modaliteteve ka qenë edhe Genc Nimoni nga Organizata Çohu, i cili thotë se puna e këtij grupi duhet të merret parasysh edhe nga qeveria e ardhshme, por që thotë se kjo do të varet nga vullneti politik.

Ministri në detyrë i Drejtësisë Selim Selimi, thotë se tashmë dokumenti me modalitetet ekziston dhe se gjatë këtij muaji do të kenë kohë të mendojnë se cilin prej tyre do të mbështesin.

Ai nuk e sheh si pengesë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, se qeveria pjesë e të cilës është u formua në mënyrë jokushtetuese, që të vazhdohet me implementimin e vetingut.

Selimi pret që puna e grupit punues dhe modalitetet të mos hidhen poshtë nga qeveria që do të formohet pas zgjedhjeve që pritet të mbahen në së shpejti.

Ndryshe, viti 2020 është konsideruar si vit i dështuar për sistemin e drejtësisë, ku gjykatat vazhdojnë të përballen me numër të madh të lëndëve të pa trajtuara./kp

Back to top button