2 mijë aplikime nga diaspora për të votuar

KQZ deri më sot ka pranuar rreth 2 mijë aplikime nga diaspora

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri më sot ka pranuar rreth 2 mijë aplikime nga diaspora për të votuar në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë.

Kështu bëri të ditur sot në mbledhjen e KQZ-së Enis Halimi, kryeshef i SKQZ-së.

Ai njoftoi KQZ-në se aktualisht është duke u zhvilluar procesi i krijimit të Listës Votuese e cila bazohet në ekstraktin e Regjistrit Qendror Civil si dhe tregoi se janë më pak se 5 mijë votues me dokumente të skaduara të identifikimit dhe se ky numër po zvogëlohet çdo ditë e më shumë.

Anëtar i KQZ-së , Betim Gjoshi, tha se votimi jashtë vendit është duke shkuar mirë si proces si dhe u shpreh se ata që dëshirojnë të votojnë nga diaspora kanë të drejtë aplikimi deri më 22 Maj.

Në këtë mbledhje u shtrua edhe çështja e identifikimit të personit që voton.

Anëtari i KQZ-së Adnan Rrustemi tha se është e domosdoshme që të dhënat që përmban karta e identifikimit të votuesit duhet të jenë identikisht të njëjta me Listën Përfundimtare e Votuesve.

Sipas tij, po identifikohet edhe një problem në përzierjen e dokumenteve të vlefshëm të identifikimit për shkak se sipas tij, votuesit me kartelë të refugjatit nuk do të duhej të votonin brenda vendit.

Ndryshe, në mbledhjen e së enjtes KQZ-ja legjitimoi me anë të votimit fletëudhëzimin e njëjtë që është përdorur në zgjedhjet e fundit./21Media

Back to top button