2-vjeçarja digjet me cigare në trup, përfundon në spital

Një 2 vjeçe është dërguar në spital me shenja të djegies në trup, që dyshohet se ia ka shkaktuar vëllai po ashtu në moshë të vogël. Mjekët shprehen se gjendja tashmë është stabël, ndërsa për shkak të skushteve ku jetonte fëmija tashmë është marrë nën kujdesin e shtetit.

Paraqitja e një 2-vjeçareje në urgjencën e QSUT me shenja plage në trup vuri në alarm mjekët. E mitura A. R. u dërgua në spital nga vetë prindërit, ndërsa u vendos në trajtim të veçantë nga bluzat e bardha dy javë më parë.

Dyshimet e para ishin se ndaj viktimës A.R. mund të ishte shkaktuar dhunë duke e djegur në zona të ndryshme të trupit.

Pas verifikimeve të para ka rezultuar se ka qenë vëllai i vogël që e kishte djegur me cigare ndërsa është përjashtuar çdo mundësi e abuzimit seksual.

Për shkak se plagët e shkaktuar nuk ishin kuruar me kohë dhe me medikamentet e duhura ato kanë kaluar në sëmundje të lëkurës duke rënduar shëndetin e 2-vjeçares.

Megjithatë burimet nga grupi i punës theksojnë se nuk duhet nxituar në konkluzione përfundimtare pa dalë rezultatet e ekspertizës mjeko ligjore.

Gjendja e së miturës tashmë është në gjendje të stabilizuar dhe vazhdon të jetë nën kujdesin e mjekëve.

Pas raportimeve të bluzave të bardha, policia ka kryer verifikime në zonën ku jetonte fëmija që përkiste komunitetit rom ku rezultoi se së bashku me prindërit jetonte në kushte të rënda ekonomike në zonën e Tufinës.

Burimet shtojnë se kanë nisur edhe procedurat për heqjen e së drejtës së prindërimit, çka bën që shteti ti marrë në kujdestari. Gjithsesi hetimet do të përfundojnë vetëm pasi mjekësia ligjore të japë konkluzionin përfundimtar për rastin./oranews

Back to top button