Ministria e Infrastrukturës nuk përfill vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës ka konstatuar shkelje të procedurave të përzgjedhjes së dy zëvendësdrejtorëve në Agjencinë e Shërbimit të Navigacionit Ajror

Ministria e Infrastrukturës vazhdon të mos respektojë vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për anulimin e konkursit për zëvendësdrejtorët e zgjedhur në Agjencinë e Shërbimit të Navigacionit Ajror që funksionon në kuadër të kësaj ministrie.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës ka konstatuar shkelje të procedurave të përzgjedhjes së dy zëvendësdrejtorëve në Agjencinë e Shërbimit të Navigacionit Ajror.

KPM me një vendim, të cilin e ka siguruar redaksia kërkon anulimin e konkursit.

Kjo pasi sipas arsyetimit të vendimit ata kanë konstatuar se Ministria ka shpallur konkurs për pozitën zëvendësdrejtor për shërbime operative dhe administrative dhe financiar në ASHNA në kundërshtim me ligjin për Agjencia e Shërbimit të Navigacionit.

Sipas ligjit kompetencat, përgjegjësitë , kriteret dhe procedurat për emërimin dhe shkarkimin e zëvendësdrejtorëve bëhet përmes aktit nënligjor të cilin e nxjerr Qeveria.

Në kohën kur është shpallur konkursi për pozitën në fjalë nuk ka pasur akt nënligjor me të cilin Qeveria të ketë plotësuar kushtin sipas dispozitës së lartshënuar për emërimin e zëvendësdrejtorëve në këtë agjenci.

Sipas vendimit të KPM-së hapja e konkursit pa u përcaktuar kriteret paraprakisht me aktin nënligjor , përbën shkelje të dispozitave ligjore , pasi që asnjë organ i administratës nuk ka mundur të përcaktojë kriteret për emërim për këto pozita, pa u nxjerr akti nënligjor.

Në lidhje me këto raste KosovaPress ka raportuar edhe më herët por zyrtarët e Ministrisë gjithnjë kanë zgjedhur të heshtin në lidhje me këto raste.

Në lidhje me këtë ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku thotë se janë në pritje të vendimit të Gjykatës për këtë çështje, pasi sipas tij Qeveria përmes avokatit shtetëror rastin e ka dërguar në gjykatë.

Punësimet nëpër ndërmarrjet publike nga ana e zyrtarëve të Qeverisë shoqëria civile i konsideron me preferenca politike.

Arton Demhasaj, nga organizata jo qeveritare “Çohu”, thotë se hulumtimet që kjo organizatë ka bërë, ka dal që njerëz të punësuar në institucionet publike punësohen njerëz politik.

Ai vlerëson se njerëzit që po emërohen nëpër ndërmarrjet publike janë njerëz joprofesional dhe nuk janë kredibil pasi që emërohen nga politika.

Të gjitha punësimet dhe emërimet në institucionet e pavarura që nga viti 2008 e deri më sot, sipas ish- ministrit të Financave, Haki Shatri, janë bërë me preferenca politike.

Kp ka siguruar vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës me anë së cilit anulohet ky konkurs, i cili ishte shpallur më 20 maj të vitit 2016.

Vendimi për anulim ka ardhur pas ankesës së njërit nga aplikantët që ka konkurruar për pozitën e zëvendësdrejtorit të Agjencisë së Shërbimit të Navigacionit Ajror.

Sipas ligjit të Agjencisë përcakton se emërimi dhe shkarkimi i zëvendësdrejtorëve duhet të realizohet përmes aktit nënligjor që nxirret nga Qeveria.

Ky akt nënligjor ende nuk është nxjerr nga Qeveria edhe pse zëvendësdrejtorët e kontestuar që nga korriku paguhen nga buxheti i Kosovës.

Sipas KPM-së, mos publikimi i emrave të përzgjedhur dhe mosdhënia e mundësisë për ankesë, në harmoni me Ligjin para se emrat të dorëzohen në Qeveri të Kosovës për aprovim është shkelje ligjore.

“Qeveria e Kosovës ka rënë në lajthitje nga ana e Ministrit, kur ka aprovuar vendimin për përzgjedhje të kandidatëve pabazë ligjore dhe në kundërshtim me të gjitha dispozitat që rregullojnë marrëdhëniet e punësimit në Kosovë. Shkelja e këtyre akteve për përzgjedhjen e kandidatëve, nënkupton shkeljen e ligjit të ASHNA-së në vazhdimësi, ngase kandidateve të përzgjedhur kundërligjshëm, u caktohet edhe kompensimi – paga (duhet të caktohet me akt nënligjor- neni 6.3 i ligjit Nr.04/L-250).”, thuhet në vendimin e KPM-së./21Media

Back to top button