Më 28 qershor aktvendimi për kushtetutshmërinë e rregullave të rishikuara

Shpallja e vendimit do të bëhet në Hagë

Kryetarja e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatësja An Pauer-Ford, të mërkurën më 28 qershor do të shqiptojë përmbledhjen e aktvendimit në lidhje me kushtetutshmërinë e rregullave të rishikuara të Rregullores së Procedurës dhe të Provave miratuar nga gjykatësit e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Shpallja e vendimit do të bëhet në orën 12:00, në ndërtesën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ndryshe, më 27 mars, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës i referoi Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese (DHSGJK), Rregulloren e Procedurës dhe të Provave. Në një datë të mëhershme, gjatë seancës së parë plenare, gjykatësit e Dhomave të Specializuara të Kosovës kishin miratuar Rregulloren e Procedurës dhe të Provave.

Më 26 prill, DHSGJK-ja konstatoi se nëntë rregulla nuk ishin në përputhje me Kapitullin II të Kushtetutës së Kosovës. Pas aktvendimit të DHSGJK-së, gjykatësit e Dhomave të Specializuara të Kosovës miratuan rregullat e rishikuara të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, të cilat kryetarja e Dhomave të Specializuara ia referoi DHSGJK-së më 31 maj 2017.

Back to top button