Dy shpërthime të fuqishme tronditën kryeqytetin e Irakut
Mbi 25 të vrarë në Bagdad
Së paku 16 persona kanë vdekur, ndërsa 24 të tjerë janë plagosur, pas shpërthimit të një auto-bombe në afërsi të një ëmbëltore në qendër të Bagdadit. Disa orë më vonë, në kryeqytetin e Irakut shpërtheu edhe një autobombë e dytë.
Përgjegjësitë për këto dy sulme i mori përsipër Shteti Islamik. Zyrtarët njoftuan se bilanci i përgjakshëm i këtyre dy sulmeve janë 27 persona të vdekur dhe mbi 100 tjerë të lënduar. Sulmi i dytë ndodhi në afërsi të një ure dhe si pasojë e tij u vranë 11 persona, shkruan rtv21.tv
Sulmi i parë ndodhi pak kohë pas mesnatës, me ekstremistët të cilët aktivizuan me gjasë me dirigjues nga larg bombën e fshehur në një makinë të parkuar.
Në xhirimet e publikuara në rrjetet sociale mund të shihen skena kaotike nga vendi i ngjarjes. Sulmet ndodhën tri ditë pas fillimit të muajit të Ramazanit, gjatë së cilit ekstremistët kanë ndërmarrë shpesh sulme të përgjakshme në Irak.
Pjesëtarët e Shtetit Islamik vitin e kaluar, gjatë muajit të Ramazanit, ndërmorën sulmin me kamion të mbushur me lëndë shpërthyese në një nga lagjet më të frekuentuara në Bagdad, me ç’rast u vranë qindra njerëz. Ishte ky një prej sulmeve më të përgjakshme në Irak, që nga përmbysja e Sadam Hyseinit nga pushteti në vitin 2003./21Media