6 shtatzëna me okigjeno-terapi, njëra prej tyre në gjendje të rëndë

Drejtori i Gjinekologjisë, Jakup Ismajli ka bërë të ditur se në repartin COVID të Klinikës Gjinekologjike e Obstetrike pranë QKUK-së, janë të shtrira 16 gra shtatzëna, prej tyre 6 janë me oksigjeno-terapi, ndërsa një në gjendje të rëndë.
Në valën e fundit në repartin e Gjinekologjisë, kanë kërkuar trajtim spitalor 87 gra shtatzëna dhe asnjëra prej tyre nuk ka qenë e vaksinuar kundër COVID-19.
Ismajli ka sqaruar se COVID-19 po sulmon sistemin e frymëmarrjes, zemrën dhe veshkat.
Drejtori, gjithashtu ka dhënë detaje edhe për 26 vjeçaren që vdiq dje si pasojë e infektimit me COVID-19.
Ai ka deklaruar se pacientja kishte shkuar në gjendje të rëndë nga Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit ku vetëm e ka përfunduar procesin e lindjes dhe më pas ishte transferuar në Mjekimin Intensiv Qendror.
”Ajo ka ardhur nga Gjilani, ka ardhur te ne drejt nga zyra e pranimit, është dërguar në sallë të lindjes, ka përfunduar lindja me prerje cezariane dhe menjëherë është transferuar në Mjekim Intensiv Qendror dhe kjo lë të nënkuptojmë se ka ardhur në gjendje të rëndë, është dashur trajtim në Mjekimin Intensiv Qendror…..Edhe bebja e saj ka lindur në gjendje të rëndë duke e ditur se ka ardhur nga Gjilani”, ka thënë Ismajli.
Por, krahas gjendjes pandemike në vend, Ismajli ka theksuar se në Klinikën Gjinekologjike e Obstetrike nuk ka rënë numri i lindjeve.
”Në këtë periudhë të vitit pa e marrë vitin e fundit janë 4 mijë e 200-300 lindje…Shifrat nuk kanë rënë, janë konstante me vitin e kaluar por kur kemi parasysh se këtu po gravitojnë edhe nga qendrat tjera, pra nuk kemi rënie të numrit të lindjeve, përkundrazi vetëm çdo ditë kemi lindje dhe të pacienteve me COVID, të premten i kemi pasur 5 paciente me COVID që kanë lindur”, ka shtuar tutje Ismajli./KP

Back to top button