Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani, ka njoftuar se për 4 javë në Gjermani nga Kosova kanë shkuar 608 persona të infektuar me COVID-19.

Me këtë rast Ambasada kosovare në Gjermani u ka bërë thirrje mërgimtarëve që të respektojnë rekomandimet shëndetësore, dhe po ashtu sapo të hyjnë në Gjermani t’u nënshtrohen testeve.

“Në bazë të numrave të fundit të hartuar nga Robert Koch Institut, në katër javët e kaluara në territorin e Gjermanisë nga Kosova kanë ardhur 608 persona të infektuar me COVID 19. Të gjithë këta shtetas tanë (me shtetësi të Kosovës, me shtetësi të dyfishtë apo me shtetësi të Gjermanisë) që kanë qëndruar në vendlindje paraqesin numrin më të lartë të të infektuarve që janë kthyer në Gjermani pas pushimeve. (Pasuar nga Serbia me 227 persona, Turqia 166, Bosnja e Herecegovina 105 etj.)”, thuhet në njoftimin e Ambasadës. /21Media