75 mijë biznese “inspektohen” nga vetëm 36 inspektorë

Numri i vogël i inspektorëve të punës, jo rrallë herë është përmendur si një prej arsyeve të moszbatimit të Ligjit të punës, respektivisht shkeljes së të drejtave të punëtorëve, sidomos në sektorin privat.
U.D. kryeinspektor i Inspektoratit të Punës, Agim Millaku për portalin rtv21.tv ka thënë se aktualisht në gjithë territorin e Kosovës veprojnë 36 inspektorë të punës.
E sipas Millakut ky numër i inspektorëve është i vogël, në krahasim me numrin e bizneseve.
“Numri i bizneseve aktive në Kosovë të cilat kanë deklaruar punëtor është mbi 75000, nga kjo rezulton se numri i inspektorëve të punës është shumë i vogël në raport me numrin e subjekteve punuese”, ka thënë Millaku.
Po ashtu edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, për portalin rtv21.tv ka thënë se s’ka inspektime pothuajse fare, e kjo sipas tij për shkak të numrit të vogël të inspektorëve.
Azemi për rtv21.tv ka thënë se me këtë numër të inspektorëve nevojiten 15 vjet për t’i vizituar njëherë këto kompani.
Nga puna e 36 inspektorëve dhe ankesat e mijëra punëtorëve, gjatë vitit 2021 janë shqiptuar 281 gjoba. Ndërsa, në vitin 2020 vetëm 115 gjoba.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pati premtuar se do të shtohet numri i inspektorëve! Lidhur me këtë portali rtv21.tv ka kontaktuar me zyrtarë nga Qeveria, mirëpo të njëjtit ende nuk janë përgjigjur.
Vetëm gjatë vitit 2021 vdiqën 9 punëtorë në vendin e punës, ndërsa mbi 188 të tjerë u lënduan./21Media

Back to top button