​79 raste me zjarrvënie, Rama apel prokurorëve dhe gjyqtarëve për zbatimin e ligjit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama apeloi sot prokurorët dhe gjyqtarët që të zbatojnë rreptësisht ligjin në rastet e zjarrvënies.

Kryeministri Rama po ashtu përgëzoi Policinë e Shqipërisë për punën e saj për zbulimin dhe kapjen e autorëve të zjarrvënies në pyje, ullishta e zona të gjelbra.

Rama theksoi se, në 79 raste zjarrëvënieje gjatë këtij viti janë zbardhur 55, me 62 autorë të proceduar penalisht.

“Policia e Shtetit po bën një punë të admirueshme për zbulimin dhe kapjen e autorëve të krimit të tmerrshëm të zjarrvënies në pyje, ullishta e zona të gjelbra. Në 79 raste zjarrëvënieje gjatë këtij viti janë zbardhur 55, me 62 autorë të proceduar penalisht”, ka shkruar Rama në Facebook, derisa ka ndarë pamje nga lufta e zjarrfikësve me zjarret.

Rama ka shkruar se 20 zjarrvënës janë në arrest me burg, ndërsa të tjerët ndiqen në gjendje të lirë, por ende mungon ndëshkueshmëria e plotë, si pasojë e qasjes skandaloze dhe paturpësisht të papërgjegjshme të disa prokurorëve e gjykatësve nëpër rrethe, të cilët mesa duket s’ka atdhe, s’ka fe, s’ka din e as iman, që i frenon në krimin e tyre të indiferencës antiligjore ndaj një krimi si zjarrvënia mbi një pasuri kaq të vyer, që është e të gjithë fëmijëve të Shqipërisë, po edhe e mbarë njerëzimit”, u shpreh Rama.

“Me ndryshimet që i kemi bërë vitet e fundit Kodit Penal, zjarrvënia e pyjeve dënohet deri në 15 vjet burg dhe në tasin e kësaj fare të keqe prokurorësh pa atdhe, ka deri edhe disa syresh që gjatë viteve të shkuara kanë shpallur deri mosfillimin fare të çështjes penale për zjarrvënësit. U bëj apel organeve të inspektimit të drejtësisë dhe mbikëqyrjes së veprimtarisë së prokurorëve e gjykatësve, që të mos bëjnë sehir karshi këtyre individëve të padenjë për t’i shërbyer ligjit të Republikës së Shqipërisë. U bëj gjithashtu apel prokurorëve dhe gjykatësve që kanë në duar rastet e lartpërmendura, që të zbatojnë rreptësisht ligjin dhe t’i dalin për Zot kësaj pasurie të vënë në breza, e cila u takon brezave të ardhshëm, po edhe krejt njerëzimit”, ka shkruar Rama.

Back to top button