90 bursa për nxënësit e IAAP dhe drejtimet teknike

 

Me qëllim të përkrahjes më të madhe për arsimin dhe aftësimin profesional dhe punësimit, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka nënshkruar vendimin për ndarjen e 90 bursave për nxënës të Institucioneve të arsimit dhe aftësimit Profesional (IAAP) në drejtimet deficitare, si dhe bursa për vajza në drejtimet teknike.

Këto bursa do të ndahen nga MASHTI dhe projekti ‘LuxDev KSV/020’ për vitin shkollor 2021/2022. Numri i bursave nga MASHTI do të jetë 40, ndërsa nga projekti i ‘LuxDev KSV/020’ do të jetë 50.

MASHTI do të ndajë 20 bursa për nxënësit e IAAP-ve në drejtimet deficitare dhe 20 bursa për vajzat në drejtimet teknike. Ndërkaq, projekti i ‘LuxDev KSV/020’ do të ndajë 30 bursa për nxënësit e IIAP-ve në drejtimet deficitare dhe 20 bursa për vajzat në drejtimet teknike. Vlera e bursës do të jetë 500 euro për vit shkollor.

Konkursi pritet të shpallet bashkë me konkursin për regjistrimin e nxënësve në klasat e dhjeta.

MASHTI ka ftuar nxënësit që do të regjistrohen në institucioneve e arsimit profesional, si dhe vajzat në drejtimet teknike, që të aplikojnë për këto bursa.

Bursat do të ndahen për nxënësit që i plotësojnë kriteret e përcaktuara sipas UA 136/2020./21Media

Back to top button