Caktohet masa e paraburgimit ndaj SH.K për sulm ndaj bashkëshortes

 

Gjykata Themelore në Prizren sot ka informuar se gjyqtarja e procedurës, Vjollca Buzhala ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, e cila do të llogaritet prej arrestimit 31.05.2021 dhe mund të zgjasë deri më 30.06.2021 ndaj të pandehurit Sh.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “sulmi”.

“Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit Sh.K., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: Me datë 31 maj, në orët e mbrëmjes, saktësisht në shtëpinë e përbashkët familjare, i pandehuri Sh.K., me dashje e sulmon fizikisht të dëmtuarën-bashkëshorten tij, si viktimë e ndjeshme në këtë rast, ashtu që pas disa mosmarrëveshjeve që kishin në lidhje me vajzën e tyre, fillimisht ishin fjalosur mes vete, e më pas i pandehuri nën ndikimin e alkoolit me 1.39 promilë, e godet fizikisht të dëmtuarën me grushte në fytyrë dhe në pjesë të ndryshme të trupit, mirëpo nga këto goditje e dëmtuara nuk pëson lëndime të dukshme në trup dhe nuk pranon që të merr tretman mjekësor.” , ka informuar gjykata.

Kurse a do të argumentohen këto fakte, siç është informuar, do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij./21Media

Back to top button