Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Rohde takohet me Osmanin

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e ka pritur sot në një takim ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde.
Bëhet e ditur se Osmani dhe Rohde biseduan edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, një javë pasi ambasadori gjerman shprehu shqetësimin se ndikimi dhe presioni politik në Gjykatën Kushtetuese nuk e hap rrugën drejt anëtarësimit atje.
“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani dhe ambasadori Rohde biseduan për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, me ç’rast Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e veçantë që ky proces të përmbyllet me sukses”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Osmani dhe Rohde folën edhe “për një sërë nismash e projektesh të interesit të përbashkët”. Osmani “foli edhe për edicionin e dytë të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë si një platformë për ta avancuar bashkëpunimin bilateral në drejtim të përmbushjes së kësaj agjende”, njoftoi Presidenca.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?