Policia shpall në kërkim pesë të dyshuar për kultivim bimëve narkotike

Të paktën pesë persona janë shpallur në kërkim nga Policia nën dyshimin për kultivim të bimëve narkotike.

Gzim Gashi, Faik Gashi, Selim Gashi, të tre nga Klina, Marglen Çomani dhe Albion Kalemi nga Shqipëria, janë të dyshuarit që janë shpallur në kërkim.

Sipas njoftimit të Policisë, të dyshuarit kanë kryer veprën penale “Kultivim i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.

“Personat e dyshuar me autorizim të organeve të drejtësisë shpallen në KËRKIM nga Policia e Kosovës nën dyshimin e bazuar se të njëjtit duke bashkëpunuar dhe bashkëvepruar kanë kryer veprën penale ‘Kultivim i bimës se hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit’”, thuhet në njoftim.

Në fshatin Perqevë të Klinës, Njësia relevante e Policisë së Kosovës raportoi për një operacion kundër kultivimit të bimëve narkotike. Të shtunën rreth orës 05:00, policia hasi në disa persona që po kujdeseshin për bimët narkotike të llojit kanabis sativa.

Gjatë intervenimit, katër nga të dyshuarit, shtetas shqiptarë nga Shqipëria dhe dy kosovarë, u arratisën në një zonë malore dhe janë ende në arrati. Njëri nga të dyshuarit u arrestua në vendngjarje.

Policia sekuestroi 960 bimë narkotike, një armë AK47 me 20 fishekë, dy telefona dhe një shumë prej 783.20 euro, 350 lekë dhe 20 funta.

I dyshuari i arrestuar, shtetas shqiptar nga Shqipëria, është dërguar në mbajtje pas intervistimit./21Media

Back to top button