Protesta në Bujanoc, Mustafi: Mesazhi i shqiptarëve ishte i qartë

(Lajm i përditësuar)
Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë protestuar sot kundër diskriminimit nga Serbia.
Protesta “Për Identitet dhe Dinjitet” u mbajt në Bujanoc, ku morën pjesë numër i madh i qytetarëve.
“Dija nuk nostrifikohet”, “Stop pasivizimit selektiv” e “Kthema adresën” kanë qenë thirrjet e shqiptarëve, të cilët kërkuan të drejtat e tyre duke refuzuar diskriminimin e vazhdueshëm.
Ragmi Mustafi nga Partia për Veprim Demokratik (PVD) thotë se protesta ka qenë e qetë, pavarësisht provokimeve nga njerëz të ndryshëm.
Mustafi thekson se protesta e sotme është revoltë ndaj Beogradit zyrtar, i cili po vazhdon të diskriminojë shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Protesta për Identitet dhe Dinjitet e cila është mbajtur sot në komunën e Bujanocit, si revoltë ndaj Beogradit zyrtar, i cili po diskriminon në mënyrë sistematike shqiptarët e Luginës së Preshevës, është organizuar në mënyrë të qetë, janë shpërndarë në mënyrë të qetë dhe ka pasur mesazhe të qarta të cilët janë dërguar edhe për bashkësinë ndërkombëtare e posaçërisht sa i përket edhe shtetit të Serbisë. Ajo që është me rëndësi, shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojnë respektimin e marrëveshjeve të cilat janë nënshkruar nga Qeveria e Republikës së Serbisë dhe përfaqësuesve legjitim të Luginës së Preshevës, njohjen e diplomave nga Kosova menjëherë, ndërprerjen e pasivizimit të adresave dhe kthimit të adresave të gjithë atyre që janë pasivizuar dhe një mori padrejtësish që janë duke i përjetuar dhe që po përballen banorët e Luginës së Preshevës”, deklaron ai.
Mesazhi i shqiptarëve të luginës, siç shton Mustafi ka qenë i qartë dhe se të njëjtit do të vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e tyre legjitime.
“Mesazhi i sotëm është që shqiptarët janë këtu, mesazhi i sotëm është që shqiptarët do të kërkojnë të drejtën e tyre legjitime dhe njëkohësisht do të refuzojnë diskriminimin e Republikës së Serbisë duke u mbështetur edhe në bashkësinë ndërkombëtare, Kosovën dhe Shqipërinë…Numri ka qenë solid i pjesëmarrësve të cilët refuzojnë t’i nënshtrohen Serbisë, refuzojnë t’i nënshtrohen diskriminimit të Serbisë dhe të cilët kërkojnë të drejtat e tyre legjitime, madje ato të garantuara edhe me konventat ndërkombëtare”, shton ai.
Ai shton se ka pasur tendencë për të penguar këtë protestë, me fushata të organizuara nga organet e rendit dhe ligjzbatuese.
“Ditëve të kaluara, madje ka pasur një fushatë të organizuar nga organet e rendit dhe ligj-zbatuese. Ato ditë më herët kanë arrestuar një shqiptar për shkak të një komenti në Facebook-un e Bujanovaçka, kanë marrë një pyetje disa shqiptarë, e madje kanë ndaluar disa shqiptarë për të theksuar se përshkallëzimi i situatës çka mund të ndodhë. Gjithashtu ka pasur edhe sulme publike e private që janë adresuar edhe ndaj Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Bujanoc dhe gjithë atyre të cilët që kanë kërkuar që protesta sot të mbahet e madje edhe që të vazhdohet me protesta deri në realizimin e të drejtave tona”, shprehet Mustafi.
Në protestën e sotme të mbajtur në Bujanoc, Mustafi tregon se ka pasur provokime nga njerëz të ndryshëm.
“Kanë qenë disa incidente shumë të vogla, madje minore, por të cilat nuk e zbehin dhe nuk kanë për t’i zbehur as protestat e ardhshme, sepse kërkesat e shqiptarëve janë legjitime. Diskriminimi tashmë është i dëshmuar edhe me raportet ndërkombëtare të Uashingtonit e Brukselit, andaj nuk mbetet tjetër veç që shqiptarët e Luginës së Preshevës të ngrenë zërin për ato çfarë i takon … Kanë qenë provokime nga njerëz të ndryshëm, qytetarët të cilët nuk kanë rënë pre e atyre provokimeve. Kanë qenë edhe më herët ato që i përmenda përmes organeve të rendit kanë tentuar në çdo formë ta pengojnë dhe ta minimizojnë përmes fushatave të ndryshme. Ka pasur paralajmërime nga më të ndryshmet por që kaloi e qetë dhe pa incidente të theksuara”, përfundon Mustafi.
Në rast se nuk merren parasysh kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Mustafi thekson se Këshilli Organizativ do të vendos se si të vijojë protestën.
Protesta e shqiptarëve për identitet dhe dinjitet në Bujanoc përfundon e qetë
Ka përfunduar protesta gjithpopullore e shqiptarëve në Bujanoc. Në sheshin Skënderbeu, emërtim të cilin nuk e pranoi Qeveria e Serbisë, në mënyrë të qetë kanë protestuar qindra shqiptarë, ndërkohë, u panë edhe forcat policore.
Ka përfunduar protesta gjithpopullore e shqiptarëve në Bujanoc. Në sheshin Skënderbeu, emërtim të cilin nuk e pranoi Qeveria e Serbisë, në mënyrë të qetë kanë protestuar qindra shqiptarë, ndërkohë, u panë edhe forcat policore.
Para të pranishmëve me një fjalë rasti është paraqitur deputeti shqiptar në Kuvendin e Shqipërisë, Shaip Kamberi.
Kamberi: Beogradi vazhdon me avazin e vjetër, t’i trajtojë shqiptarët si armiq
Përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në jug të Serbisë, Shaip Kamberi, e akuzoi Qeverinë serbe për mohimin e të drejtave të pakicës shqiptare, duke thënë se ajo “nuk dëshiron integrimin e tyre në organet shtetërore në mënyrë të drejtë dhe të barabartë”.
“Beogradi vazhdon me avazin e vjetër, t’i trajtojë shqiptarët si armiq, si popull të rendit të dytë, i cili nuk meriton pjesëmarrje institucionale. Ka vazhduar me diskriminim duke mos njohur diplomat, dhe me mosintegrimin dhe me pasivizimin”, tha Kamberi.
Kamberi, i cili e fitoi edhe një mandat në Parlamentin e Serbisë gjatë zgjedhjeve serbe të 17 dhjetorit, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’i bëjë trysni Serbisë për, siç tha, ndaljen e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginë.
“Ftoj Qeverinë që të fillojë në mënyrë urgjente dhe të pakushtëzuar në realizimin e obligimeve të marra nga marrëveshjet e nënshkruara, mbi të gjitha ftoj bashkësinë ndërkombëtare të reagojnë sa më shpejt për ta ndërprerë aparteidin dhe diskriminim klasik, sepse që nga marrëveshja e Konçulit 2001 e deri te plani 7 pikës 2013, ne kemi pasur besim jo në Beogradin, por në vlerat demokratike perëndimore”, tha Kamberi.
Shqiptarët e Luginës protestojnë kundër politikave shtypëse të Beogradit
Ka nisuar protesta e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, kundër diskriminimit nga Beogradi.
Protesta ka nisur me intonimin e himnit kombëtar.
Protestuesve u është bashkuar edhe deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
“Kthema adresën”, “Duam libra shqip”, “Dija nuk nostrifikohet”, “Të shtypur po, të nënshtruar jo”, janë disa nga pankartat që protestuesit kanë mbajtur në duar.
Protesta po mbahet në Bujanoc.
Sot në Bujanoc protestë masive kundër diskriminimit të shqiptarëve nga Beogradi
Sot në Bujanoc do të mbahet një protestë kundër shtypjes dhe diskriminimit që po ushtrohet ndaj shqiptarëve nga autoritetet serbe.
Kjo protestë e cila pritet të nis në orën 11:00, organizohet në përgjigje të politikave diskriminuese dhe trajtimit të pabarabartë që shqiptarët e Luginës së Preshevës po përjetojnë prej vitesh.
Banorët e Bujanocit dhe zonave përreth pritet të dalin masivisht në këtë protestë për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj situatës së krijuar dhe për të kërkuar të drejtat e tyre.
Organizatorët e protestës kanë bërë thirrje për pjesëmarrje të gjerë, duke theksuar se kjo është një mundësi e rëndësishme për të sensibilizuar komunitetin ndërkombëtar rreth gjendjes së vështirë në të cilën gjenden shqiptarët në këtë rajon.