Kosova nën “ethet” e zgjedhjeve në ShBA, cili kandidatë është më i favorshëm për vendin?

(Lajm i përditësuar)
Amerika në zgjedhje!
Nis procesi i numërimit në qarkun kryesor të Xhorxhias, rezultatet priten nga momenti në moment
Një nga qarqet etnikisht më të larmishme në pjesën jugperëndimore të Shteteve të Bashkuara do të jetë mes atyre që do të njoftojnë të parat rezultatet paraprake në zgjedhjet kombëtare mbrëmjen e së martës.
Në qarkun Gwinnett të Xhorxhias ka filluar procesi i numërimit të votave me postë dhe atyre të hershme. Rezultatet do të publikohen në momentin e mbylljes së qendrave të votimit në 7 të mbrëmjes.
Kosova po përcjell me vëmendje të madhe zgjedhjet e sotme presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Drejtimi i politikës amerikane konsiderohet se do të ketë ndikim të rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Njohësit politikë në Kosovë ofrojnë perspektiva të ndryshme mbi atë se kush është kandidati më i favorshëm për Kosovën. Në garë të ngushtë për president të 47-të të ShBA-së janë kandidatja demokrate, Kamala Harris dhe kandidati republikan, Donald Trump.
Analisti politik, Arbnor Sadiku, thotë se për Kosovën kandidatja Kamala Harris është më e favorshme për presidente të ShBA-së.
Sipas tij, kandidati republikan, Donald Trump është një personalitet atipik dhe nuk dihet se cili do të jetë roli i tij në politikën botërore, duke përfshirë edhe Kosovën.
Ai vë në pah rrezikun që nën administratën Trump të rikthehet ideja e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Për Kosovën kandidate më e përshtatshme dhe kapshme për rrethanat e Kosovës është zonja Harris. Ajo rrjedh nga Partia Demokratike dhe ka një estabilishment dhe në Departamentin e Shtetit që e njohin mirë çështjen e Kosovës, siç është i deleguari për dialogun O’Brien. Kurse në rast që fiton zotëri Trump është një personalitet atipik, që askush nuk e dinë se cili do të jetë roli i tij për politikën botërore dhe regjionale duke përfshirë edhe Kosovën. Ajo çka kanë thënë këshilltarët e tij, sikurse zotëri Bolton më parë është rreziku për kthimin e serishëm të projektit për korrigjim të kufijve që ka qenë më parë”, thotë ai.
Mirëpo, diplomati, Blerim Canaj, nuk pret ndryshim të politikës së jashtme amerikane karshi Kosovës, pavarësisht ardhjes në pushtet të Donald Trump apo fitores së Kamala Harris.
Madje, ai thotë për kp se kandidati republikan, Trump mund të jetë më i hovshëm në vendimmarrje.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë faktikisht shtet me traditë, politika e jashtme e secilës nuk varet nga një kandidat apo një tjetër. Natyrisht mund të jetë që njëri kandidat të jetë më i hovshëm në vendimmarrje, në këtë rast Donald Trump dhe tjetri kandidat mund të jetë më i ngadalshëm. Mirëpo prioritetet në strategjinë afatgjate të Shteteve të Bashkuara të Amerikës as në raport me Kosovën dhe me shtetet të tjera nuk ndryshojnë. Kështu që nuk e besoj se do të ketë kushedi çfarë ndryshimi të madh, përveç ecurisë të shpejtë apo më të ngadalshme të marrjes së vendimeve”, thekson Canaj.
Qytetarët amerikanë janë duke votuar për të zgjedhur presidentin e ri. Kandidates demokrate Kamala Harris dhe atij republikan Donald Trump u duhen nga 270 vota elektorale për të fituar.
Zgjedhjet e sotme presidenciale në ShBA i komentoi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se Kosova është e bekuar që ka përkrahjen e SHBA-së, si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët.
Osmani nënvizoi se ShBA-ja është aleati strategjik i Kosovës dhe do të vazhdojë të jetë i tillë edhe pas zgjedhjeve presidenciale.
Obama u bën thirrje amerikanëve t’i drejtohen qendrave të votimit
Ish-presidenti amerikan Barack Obama i ka bërë thirrje amerikanëve që t’i drejtohen qendrave të votimit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Obama tha se “zgjedhjet do të jenë të ngushta” – duke shtuar se në “disa shtete, vetëm një grusht votash në çdo zonë mund të vendosë fituesin.
Obama u bëri thirrje votuesve që të inkurajojnë familjen, fqinjët dhe miqtë e tyre që të votojnë për zëvendëspresidenten aktuale Kamala Harris, kandidaten demokrate dhe kandidatin e saj për zëvendëspresident Tim Walz.
Kështu duken fletëvotimet në SHBA, 10 minuta kohë për t’i plotësuar

Në SHBA, një fletë votimi në ditën e zgjedhjeve presidenciale mund të jetë e gjatë – dy ose tre faqe të bardha.
Ato përmbajnë jo vetëm një vend për të votuar për Kamala Harris ose Donald Trump, por edhe gara në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatit, si dhe iniciativa dhe propozime lokale, të tilla si financimi për shërbimet komunitare.
Amerikanëve mund tëiu duhen rreth 10 minuta për të plotësuar një fletvotim
Harris dhe Trump ndajnë postimet e tyre të para që nga hapja e votimeve
Kandidatja demokrate për presidente e ShBA-së, Kamala Harris, ka shpërndarë postimin e saj të parë në platformën X, pak më shumë se një orë pas hapjes së kutive të votimit.
Nënpresidentja e ShBA-së i bëri thirrje qytetarëve amerikanë të shprehin votën e tyre në këto zgjedhje të rëndësishme.
“Amerikë, ky është momenti për të bërë të dëgjuar zërin tuaj”, shkroi Harris.
Kundërshtari i saj, Donald Trump, nuk ka postuar asgjë në X që nga hapja e kutive të votimit, por pak më shumë se tre orë më parë ai shkruante në platformën e tij Truth Social: “ËSHTË KOHA PËR TË DALË TË VOTOJMË – KËSHTU QË SË BASHKË, MUND TA BËJMË AMERIKËN TË MADHE SËRISH!!!!!!”
Hindusët në Indinë jugore luten për një fitore të Harris

Në mbarë botën, të gjithë sytë janë te zgjedhjet në SHBA – madje edhe adhuruesit hindu në Indinë jugore, të cilët u lutën për një fitore të Kamala Harris të hënën.
Harris është vajza e emigrantëve indianë dhe xhamajkanë, me nënën e saj të lindur në shtetin Tamil Nadu përpara se të transferohej në SHBA për një program doktorature. Harris ka ndarë kujtimet e fëmijërisë së vizitës së gjyshit të saj në Chennai dhe ka folur se si trashëgimia e saj indiane ka ndikuar në jetën dhe karrierën e saj, raporton CNN përcjell portali rtv21.tv
“Udhëheqësi ynë stërgjysh Indian dhe Tamil, Kamala Harris, do të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale. Definitivisht, ajo do t’i fitojë zgjedhjet, “tha Ballu, themeluesi i organizatës Anushanath’s Anukragni të grupit hindu, në qytetin Madurai në Tamil Nadu, sipas videove nga Reuters dhe ANI News.
Në video, pankarta me fytyrën e Harrisit shfaqen pranë idhujve të perëndive hindu, me priftërinjtë që u ofrojnë lutje dhe petale lulesh idhujve.
Shumë indiano-amerikanë u aktivizuan pasi Harris u bë kandidatja e re demokrate, me organizatorët kombëtarë dhe bazë nga komuniteti që përmendën një mbështetje të madhe për fushatën e Harris në javët pasi ajo shpalli kandidaturën e saj.
Zgjedhjet në ShBA, pritshmëritë e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe ndikimi në Kosovë
Zyrtarët zgjedhorë në SHBA u bëjnë thirrje qytetarëve të mos mashtrohen nga teoritë e konspiracionit
Votuesit amerikanë shkojnë drejt qendrave të votimit të martën për të zgjedhur liderët e ardhshëm të vendit në një eksperiment masiv demokratik ku dhjetëra miliona vota do të hidhen pa incidente.
Por pretendimet e rreme për mashtrim të votuesve në vitin 2020 dhe akuzat e përsëritura të ish-presidentit Donald Trump për mashtrim nënkuptojnë se gjithçka, nga kualifikimi i votuesve deri te problemet logjistike si radhët e gjata, funksionimi i votave dhe numërimi i votave, do të shqyrtohen nga afër, veçanërisht në shtetet kyçe të fushëbetejës, raporton CNN, përcjell portali rtv21.tv
Zyrtarët e zgjedhjeve në të gjithë SHBA-në – veçanërisht në shtetet në lëvizje – janë zotuar të ruajnë integritetin e votës dhe u kanë kërkuar votuesve që të mos mashtrohen nga teoritë e konspiracionit .
“Këtu në Gjeorgji është e lehtë të votosh dhe është e vështirë të mashtrosh”, tha të hënën Sekretari i Shtetit i Gjeorgjisë, Brad Raffensperger. “Sistemet tona janë të sigurta dhe njerëzit tanë janë gati.”
Zgjedhjet e vitit 2024 kanë paraqitur tashmë akuza nga Trump dhe republikanë të tjerë se vota është “mashtruar”.
Trump ka bërë pretendime të përsëritura të rreme se demokratët po mashtrojnë në zgjedhje dhe ai ka shtrembëruar problemet e izoluara me votimin në një përpjekje për të nxitur mbështetësit e tij të besojnë se zgjedhjet nuk janë legjitime nëse ai humbet.
Zgjedhjet në ShBA, pritshmëritë e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe ndikimi në Kosovë
Zgjedhjet presidenciale që po mbahen sot (e martë) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po konsiderohen të jenë historike. Ndryshimi i mundshëm i administratës amerikane, pritet të ndikojë në qasjen e ShBA-së karshi problemeve globale, por edhe ndaj Kosovës. Atje sot votohet për presidentin e ri, ndërkaq sondazhet tregojnë për një garë të ngushtë.
Për zgjedhjet presidenciale, kandidatë janë Kamala Harris nga Partia Demokratike dhe Donald Trump nga Partia Republikane.
Faton Bislimi nga Liga qytetare shqiptaro-amerikane (LQShA), thotë për kp se shqiptarët atje do të përkrahin në masë të madhe zëvendëspresidenten Harris.
“Zonja Harris do të merr një numër të konsiderueshëm të votave të shqiptarëve. Dhe këtu më lejoni të theksoj pse, jo për arsyen e domosdoshme se shqiptarët në Amerikë janë kryesisht demokratë dhe e mbështesin zonjën Harris, pasi që ajo është e nominuara e demokratëve. Mendoj që një pjesë e madhe e votave që shkojnë tek zonja Harris, shkojnë për shkak të mirënjohjes dhe respektit që shqiptarët e kanë për punën e presidentit Biden, veçanërisht sa ishte senator dhe kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme të senatit të Shteteve të Bashkuara”, thotë Bislimi.
Tri ditë para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, kandidatja për presidente, Kamala Harris i është drejtuar me letër komunitetit shqiptaro-amerikan. Në këtë letër theksohen marrëdhëniet dhe kontributi amerikan për arritjen e pavarësisë të Kosovës.
Kryetari i komitetit shqiptaro-amerikan, Haxhi Dauti thotë se kjo është letra e parë për shqiptarët.
“Kjo letër është një letër e parë për komunitetin tonë shqiptar këtu në Amerikë. Për shkak se Amerika është 350 milionë, një popullatë e madhe që ndoshta ne jemi 2 milionë shqiptarë në gjithë Amerikën. Mirëpo, ndihemi krenarë me këtë letër që jemi pjesë e familjes amerikane dhe jemi pjesë të cilët kontribuojmë në votimet në elektoratet e Amerikës”, thotë Dauti nga Amerika.
Ndryshimi i administratës amerikane pas kësaj gare presidenciale, sipas aktivistit politik në ShBA, Faton Bislimi thekson se do të ndikojë edhe në Kosovë.
“Nëse zonja Harris do të mbetet shefe në Shtëpinë e Bardhë, atëherë besoj që nuk do të kemi një ndryshim drastik në marrëdhëniet me Kosovën, sepse një pjesë e madhe e administratës Biden do të vazhdojë të jetë një pjesë edhe e administratës të zonjës Harris. Në qoftë se kemi një rikthim të mundshëm të presidentit Trump nuk është që nuk jemi provuar edhe me atë mënyrë të qeverisjes më herët. Normalisht do të ketë një ndryshim thelbësor në administratën e Shteteve të Bashkuara nën udhëheqjen e Trump. Por përtej ndryshimit thelbësor në administratë, normalisht se do të shohim një ndryshim shumë të rëndësishëm në qasjen e Shteteve të Bashkuara karshi problemeve globale, e këtu përfshihet edhe Kosova”, deklaron Bislimi
Këto zgjedhje presidenciale do të përcaktojnë jo vetëm fatin e Shteteve të Bashkuara, thotë ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sipas tij, edhe komuniteti shqiptaro-amerikan është i vetëdijshëm për rëndësinë e këtij procesi zgjedhor.
“Ka disa arsye pse këto (zgjedhje) janë historike, sepse në qoftë se Trump fiton do të bëhet vetëm personi i dytë në historinë e Shteteve të Bashkuara që ka arritur të fitojë presidencën dy herë, por jo në mandate të njëpasnjëshme dhe arsyeja e dytë është se në qoftë se Harris fiton do të bëhej gruaja e parë presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thekson ai.
Komiteti shqiptaro-amerikan konsideron se zgjedhjet e sotme në ShBA do të jenë në dobi të shqiptarëve atje.
“Pritjet e shqiptarëve… shqiptarët janë të ndarë në këtë aspekt. Janë republikanë-demokratë që është një gjë e mirë, është një pasuri kombëtare. Shumica janë pro Trump, po ashtu kemi një masë të madhe shqiptarë që do të votojnë për Kamala Harris, për demokraten që doli dje me një letër për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe ku se si çka për një shekull, se si Amerika dhe shqiptarët dhe Shqipëria kanë qenë miq të vërtetë dhe kanë pasur një bashkëpunim të frytshëm dhe po ashtu flet për emigrantët shqiptarë të cilët kanë kontribuar në këtë drejtim. Dhe shpresoj që çfarëdo që të ndodhë, ose Kamala ose Trump të fitojë të jetë në dobinë e popullit tonë shqiptarë, sidomos në Kosovë”, tregon ai.
Kamala Harris është zëvendëspresidente e Shteteve të Bashkuara nën udhëheqjen e demokratit Joe Biden.
Ndërkaq, Trump ishte president i SHBA-së në periudhën 2017-2021.
Rusia kërkon të minojë besimin në zgjedhje, thotë inteligjenca amerikane
Larg shkëlqimit dhe magjepsjes së përkrahjeve të të famshmëve shefat e inteligjencës amerikane po paralajmërojnë se “kundërshtarët e huaj” – përfshirë Rusinë – po kryejnë operacione për “minimin e besimit të publikut në integritetin e zgjedhjeve në SHBA dhe për të nxitur përçarje midis amerikanëve. “.
Në një deklaratë të përbashkët, Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI), FBI dhe Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës thanë se grupet e lidhura me Rusinë po nxisnin dhunë kundër zyrtarëve zgjedhorë dhe po përsërisnin pretendime të rreme për mashtrim të votuesve, përcjell portali rtv21.tv
Agjencitë thonë se “aktorët e ndikimit rus” postuan kohët e fundit një artikull duke pretenduar në mënyrë të rreme se zyrtarët në shtetet kyçe planifikojnë të manipulojnë zgjedhjet presidenciale të së martës duke mbushur kutitë e votimit. ODNI vazhdon të thotë se pret që këto përpjekje të intensifikohen gjatë ditëve në vijim. Ai gjithashtu akuzon Iranin se është një “kërcënim i rëndësishëm i ndikimit të huaj” për SHBA.
Teherani dhe Moska kanë mohuar përpjekjet për të prishur zgjedhjet.
Qyteti në New Hampshire shpall rezultatin e parë të zgjedhjeve
Ndërsa Donald Trump përfundon fjalimin e tij të fundit në fushatë, ka dalë rezultati i parë i ditës së zgjedhjeve.
Rezultati është një barazim midis Kamala Harris dhe Donald Trump, sipas BBC.
Votimet e para në SHBA u hapën pak më herët në qytezën e largët, të pa inkorporuar në New Hampshire, Dixville Notch.
Komuniteti hapi fillimisht dyert e tij në mesnatën e 5 nëntorit, për të marrë pjesë në traditën vjetore të votimit në mesnatë. Votimi në qytet ishte i hapur derisa të gjithë në qytet , gjithsej gjashtë persona në zgjedhjet paraprake të janarit 2024, hodhën votën
Dhe rezultati? Një ndarje e pastër – tre për Harris dhe tre për Trump.
Dixville Notch ndjek një trend të ngjashëm të të parëve për shtetin, i cili udhëheq vendin në mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale.
New Hampshire është vënë shpesh në qendër të vëmendjes nga media si një terren testimi për të përcaktuar të dyja palët kryesuese.
Pse Pensilvania dhe Miçigani kanë kaq shumë rëndësi për zgjedhjet në Amerikë
Harris dhe Trump përfunduan fushatat e tyre me ndalesa përkatësisht në Pensilvani dhe Michigan – por pse?
Shkurtimisht, sepse ata janë dy nga shtatë shtetet e lëkundura që do të vendosin rezultatin e këtyre zgjedhjeve.
19 votat elektorale të Pensilvanisë e kanë bërë atë një nga më të vizituarit nga të dy kandidatët. Në vitin 2020 ishte një nga të fundit që u thirr, me Biden – i cili është me origjinë nga shteti – përfundimisht e mori atë.
U hodhën votat e para në ditën e zgjedhjeve në SHBA
Amerikanët po shkojnë drejt qendrave të votimit për të votuar për presidentin e tyre të ardhshëm.
Zëvendëspresidentja Kamala Harris dhe ish-presidenti Donald Trump kanë nevojë për të paktën 270 vota elektorale për të fituar. Shtetet e fushës së betejës Arizona, Georgia, Michigan, Nevada, Karolina e Veriut, Pensilvania dhe Wisconsin pritet të jenë thelbësore në rrugën e tyre drejt fitores, shkruan CNN, përcjell portali rtv21.tv
Harris dhe Trump barazuan me nga tre vota secili në komunitetin e vogël të New Hampshire të Dixville Notch , i cili hapi dhe mbylli sondazhin e tij vetëm pas mesnatës ET në një traditë të vjetër dekadash. Këtu është një udhëzues orë pas ore se çfarë të presim kur qendrat e votimit të fillojnë të mbyllen në orën 19:00 ET.
Kandidatët mbajtën aktivitetet e tyre përfundimtare të fushatës në shtetet e fushëbetejës mbrëmë. Harris përfundoi fushatën e saj 107-ditore në Pensilvani , ndërsa Trump foli në Michigan – ku ai i ka dhënë fund tre nga fushatat e tij presidenciale.
Amerikanët zgjedhin mes Harrisit dhe Trumpit
Qytetarët amerikanë më 5 nëntor votojnë për zgjedhjet historike presidenciale, për të cilat votuesit janë të ndarë në nivel vendi, por edhe në shtatë shtete kryesore që pritet të përcaktojnë rezultatin mes ish-presidentit republikan, Donald Trump, dhe nënpresidenten demokrate, Kamala Harris.
Qendrat e votimit nisin të hapen nga ora 05:00 (11:00 sipas kohës lokale në Kosovë) në disa shtete lindore dhe votimet do të vazhdojnë në mbarë vendin, përfshirë në Alaskë dhe Havai, deri në orët e mbrëmjes në shtetet që gjenden në perëndim të Shteteve të Bashkuara.
Rezultati i kësaj gare të ngushtë nuk pritet të dihet për ditë të tëra në disa shtete sikurse Pensilvania, ku numërimi i votave me postë është proces më i ngadalshëm. Dalja në zgjedhje pritet të jetë e lartë, sipas Byrosë së Regjistrimit.
Mbrëmjen e 4 nëntorit zyrtarët federalë zgjedhorë paralajmëruan se me një garë kaq të ngushtë, Rusia dhe Irani po intensifikojnë fushatat e tyre të ndikimit me synimin që të ndjellin përçarje në mesin e votuesve amerikanë me qëllim që të nxitet dhunë ndaj zyrtarëve zgjedhorë, pas një fushate të ashpër.
Trump po garon për herë të tretë, pasi humbi zgjedhjet më 2020 ndaj presidentit aktual, Joe Biden, i cili u tërhoq nga gara presidenciale në korrik pasi sondazhet treguan se ai kishte pasur një paraqitje të dobët gjatë debatit me Trumpin dhe kishte shqetësime lidhur me moshën e tij.
Zëvendësimi i tij nga radhët e demokratëve, Harris, nëse zgjidhet do të bëhej gruaja e parë presidente e SHBA-së dhe personi i parë me prejardhje nga Azia Jugore. Trump do të bëhej presidenti i dytë në histori që do të fitonte mandat presidencial në mënyrë jo të njëpasnjëshme. I vetmi president që e kishte bërë këtë ishte Grover Cleveland, në fund të shekullit 19-të.
Harris, 60-vjeçare, e ka paraqitur veten si ndryshim brezash nga Bideni, 81 vjeç, dhe Trumpi 78 vjeç.
Ajo ka shprehur mbështetjen e saj për të drejtën e abortit pas vendimit të vitit 2022 të Gjykatës Supreme që i dha fund të drejtës kushtetuese për abort. Ajo po ashtu e ka cilësuar Trumpin si rrezik për demokracinë dhe ka përmendur rolin e tij në sulmin e 6 janarit ndaj ndërtesës së Kongresit amerikan dhe refuzimit që të pranojë humbjen nga Bideni më 2020.
Trump ka përdorur thirrjet e tij populiste për të përçuar mesazhin se gjatë mandatit të dytë ai do të bëjë më shumë për të përmirësuar ekonominë, për të frenuar valën e migrantëve që hyjnë në SHBA dhe ka thënë se do të ishte më i ashpër kundër kundërshtarëve të shtetit, sikurse Kina.
Rezultati i zgjedhjeve amerikane mund të prekë Ukrainën më shumë se çdo vend tjetër i huaj.
Kandidatët kanë dy qëndrime shumë të ndryshme sa i përket mbështetjes për Ukrainën, mbrojtja e së cilës kundër trupave pushtuese ruse varet shumë nga mbështetja ushtarake, financiare dhe diplomatike që i jep SHBA-ja.
Harris ka thënë se ajo do të vazhdojë politikën e Bidenit për të ndihmuar Ukrainën, duke shprehur dëshirën që ta shohë të mposhtur Rusinë.
Trump ka vënë në pikëpyetje mbështetjen amerikane për Ukrainën, duke thënë se Evropa duhet ta bartë pjesën më të madhe të barrës së mbështetjes të Ukrainës kundër pushtimit të nisur nga Rusia, dhe po ashtu e ka vënë në dyshim të ardhmen e NATO-s.
Dy kandidatët presidencialë kanë tentuar që në ditët e fundit të fushatës të fitojnë sa më shumë mbështetje dhe secili prej tyre e kanë portretizuar veten si vendimtar për të ardhmen e Amerikës.
Më 4 nëntor, Harris qëndroi në Pensivlani, ku 19 votat zgjedhore janë të rëndësishme në mesin e shteteve kryesore që pritet të përcaktojnë rezultatin e Kolegjit Zgjedhor.
“A jeni gati për ta bërë këtë?”, u tha Harris mbështetësve të saj në Skranton, duke qëndruar para një mesazhi të madh ku shkruhej “Voto për Lirinë”.
Trump e nisi ditën e 4 nëntorit me një fushatë në Karolinën e Veriut, para se të merrte pjesë në dy tubime në Pensilvani dhe më pas e përmbylli fushatën në Miçigan.
“Nëse fitojmë Pensilvaninë, do t’i fitojmë zgjedhjet”, tha Trump.
Këto tri shtete së bashku me Viskonsinin, Xhorxhian, Arizonën dhe Nevadën janë shtetet që pritet të përcaktojnë se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA-së.
Sipas sistemit amerikan, nuk është vota popullore ajo që përcakton se kush do të jetë president, por Kolegji Zgjedhor prej 538 anëtarësh, në të cilin secili shtet ka një numër të përcaktuar paraprakisht të zgjedhësve, që është numër i barabartë me numrin e përfaqësuesve që shtetet kanë në Kongres.
Çdo shtet, me përjashtim të Nebraskës dhe Mejnin, ua japin votat në Kolegjin Zgjedhor kandidatit që ka më së shumti vota popullore në shtetin përkatës.
Nëse Harris dhe Trump dështojnë të arrijnë shumicën prej 270 votash në Kolegjin Zgjedhor, Dhoma e re e Përfaqësuesve në janar do të zgjedhë presidentin dhe Senati i ri po ashtu do të zgjedhë nënpresidentin.
Më shumë se 77 milionë votues veçse kanë votuar, por zgjedhjet e 5 nëntorit do të jenë test kritik se cili kandidat ka bërë punë më të mirë për të bindur mbështetësit e tyre që të votojnë.
Harris veçse ka votuar përmes postës. Trump planifikon të votojë në Florida në ditën e zgjedhjeve.