“Kosova në prag të një ngërçi politik”

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i ka reaguar kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili ditë më parë deklaroi se “LDK-ja nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie pa postin e kryeministrit”. Çeku thotë se kryetari i LDK-së po bën përpjekjet që të merr pushtetin edhe pse është humbës i zgjedhjeve.
“Cilin Lumir të mbajmë për fjale? Atë që thotë se LDK s’ka fituar dhe se ky nuk është rezultat ndryshimi, apo Lumirin tjetër, i cili thotë që s’ka rëndësi fituesi dhe preferenca e qytetarit? Po tash, si mund të bëhesh kryeministër në një palë zgjedhje që i ke humbur, e ku fituesi është afër trefish larg teje? Kjo i bie të bëhesh kryeministër me çdo kusht”, tha Çeku.
Ndërkohë, akuzave të ministrit të kulturës kundrejt kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është kundërpërgjigjur deputetja e kësaj partie Doarsa Kica.
“Këta a NUK kuptojnë çka themi ne apo bëhen që nuk kuptojnë? Apo qëndrimet tona janë “sport i rëndë” për ta? Ju kemi thënë e po ua themi prap: A jeni fitues të zgjedhjeve? BËJENI QEVERINË! LDK, me vullnet të mirë, qëndron në opozitë! LDK, me vetëdije të plotë NUK I NDRYSHON qëndrimet paraelektorale. Ato mbesin të njëjta, ato mbesin të shenjta!”, deklaroi Kica.
Pozicionimin e LDK-së kundër bashkëpunimit me LVV-në dhe kushtëzimin për postin e kryeministrit, ish-diplomati Blerim Canaj e cilëson si një tendencë për të shmangur vëmendjen nga humbja e zgjedhjeve.
“ Po nëse e shohim se që nga viti 2021 kjo parti nuk ka bërë asnjë lëvizje dhe është përsëri në vendin e tretë atëherë kjo tregon se LDK-ja dëshiron ta rris çmimin e saj për një koalicion të mundshëm”, tha Canaj.
Nëse partia fituese LVV-ja, nuk arrin ta krijojë qeverinë, mandati i kalon një shumice tjetër të partitive politike. Por megjithatë edhe partitë opozitare duket se do ta kenë të vështirë sigurimin e numrave të nevojshëm.
Ministri aktual i administrimit të pushtetit lokal, Elbert Krasniqi, thotë se nuk i jep votë opozitës.
“Po, në bashkëpunim me kryeministrin Kurti do të jem pjesë e koalicionit të ardhshëm qeveritar dhe tashmë është shumë mirë i definuar ky partneritet i joni që fillon nga viti 2019 kur kam qenë pjesë e grupit parlamentar të VV’së, kështu që gjithvka është parimore dhe është e bazuar në këtë mirëbeismin e krijuar në këto katër vite si ministër, kështu që s’ka asnjë dyshim që do të jem pjesë e koalicionit të ardhshëm qeveritar dhe do të jem vetëm pjesë e një koalicioni ku kryeministër është Kurti”, tha Krasniqi.
Profesori universitar Dorajet Imeri, ka kritika për pozicionimin e subjekteve politike të cilat humbën zgjedhjet e 9 shkurtit. Sipas tij, kushtëzimet për postin e kryeministrit, flasin për një tendencë të atakimit të Kurtit për rënie në vota.
“ Pra nuk kërkojnë një legjitimitet politik por shfrytëzojnë momentumin që të kapitalizojnë maksimumin e tyre edhe pse në fakt kanë humbur zgjedhjet”, tha Imeri për RTV21.
Situata e krijuar me zvarritjen e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, rrjedhimisht shtyrjen e procedurave për krijimin e qeverisë së re, sipas njohësve, mund ta çojë vendin drejt një ngërçi politik./RTV21/21Media