Kaloni te përmbajtja kryesore

SBASHK: Qeveria në detyrë po i lë mësimdhënësit pa të drejta, qytetarët nën presion të rritjes së çmimeve

Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës (SBASHK), shpreh shqetësimin e thellë për vonesën e formimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Në reagimin e SBASHK-ut, thuhet se ky bllokim i qëllimshëm, i shkaktuar nga mungesa e vullnetit politik për një kandidat konsensual për kryetar Kuvendi, po pengon trajtimin e çështjeve jetike për mësimdhënësit dhe qytetarët.

“Qeveria në detyrë, e cila për katër vite ka injoruar kërkesat legjitime të mësimdhënësve – përfshirë Kontratën Kolektive, Ligjin për Pagat dhe Skemat Pensionale – vazhdon të funksionojë në mënyrë të njëanshme, duke përjashtuar përfaqësuesit e punëtorëve nga vendimmarrja. Ndërkohë, çmimet e produkteve esenciale, përfshirë qumështin dhe bukën, janë rritur deri në 20%, pa asnjë masë mbështetëse nga qeveria. SBASHK e konsideron këtë papërgjegjësi të dyfishtë – institucionale dhe sociale”, thuhet në reagim.

Po ashtu sipas SBASHK-ut, “bllokimi i institucioneve nga kryeministri i dorëhequr dhe refuzimi i bashkëpunimit politik për zgjidhje të krizës, dëshmojnë për mungesë serioziteti dhe përkushtimi ndaj interesit publik”.

Më tej thuhet në reagim se kërkesa e SBASHK-ut është e qartë: Të formohen menjëherë institucionet legjitime; Të rifillojë dialogu sindikal dhe institucional me përfaqësuesit e mësimdhënësve; Të adresohen me urgjencë kërkesat tona dhe të ndërmerren masa kundër rritjes së çmimeve.

“Nëse kjo gjendje vazhdon, SBASHK do të shqyrtojë format e reagimit sindikal dhe qytetar në mbrojtje të të drejtave dhe dinjitetit të mësimdhënësve dhe punëtorëve të arsimit”, thuhet në fund të reagimit.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button