Radarët mobilë në Prizren, vetëm për një orë shqiptohen 13 gjoba

Policia e Kosovës në Prizren ka filluar të përdorë radarët mobilë për kontrollin e qarkullimit rrugor. Vetëm gjatë një ore kontroll në rrugën Prizren–Prevallë, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor shqiptoi 13 gjoba për tejkalim të vijës së plotë dhe tejkalim të shpejtësisë së lejuar.

Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor (NJRTRR) në Prizren, është pajisur me një automjet të ri me radar mobil, si pjesë e përpjekjeve për rritjen e sigurisë në komunikacion dhe parandalimin e kundërvajtjeve rrugore.

“Më datë 20.08.2025, nga ora 09:00 deri në 10:15, patrulla policore e NJRTRR Prizren ka organizuar një pikë kontrolli me veturë të pajisur me radar mobil në rrugën Prizren–Prevallë. Gjatë këtij operacioni janë shqiptuar gjithsej 13 fletëparaqitje për kundërvajtje,” thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit thuhet se, “8 fletëparaqitje janë shqiptuar për tejkalim në vijë të plotë, prej të cilave 5 automjete me targa të huaja, ndërsa 5 fletëparaqitje për tejkalim të shpejtësisë së lejuar në zonën e kufizuar me 30 km/h.”

“Të gjitha kundërvajtjet janë video-incizuara nga radari mobil, duke shërbyer si dëshmi të pakontestueshme për shkeljet e evidentuara,” theksohet më tej.

Policia e Kosovës në fund apelon vozitësit për respektim të rregullave të komunikacionit dhe bën të ditur se “kontrollet me radar mobil do të vazhdojnë në mënyrë të rregullt në zonat me rrezikshmëri të lartë.”

Back to top button