Edi Rama e nis ditën me fjalimin për krerët e UÇK-së në Washington

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka nisur mëngjesin e sotëm me copëza nga mbledhja e parë e Bordit të Paqes në Washington DC.
Në videon që ai shpërndau në rrjetet sociale, përfshihet edhe fjalimi i tij ku i kërkoi presidentit amerikan, Donald Trump, të bëjë diçka lidhur me procesin gjyqësor të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
“MIRËMËNGJES dhe me këtë videokartolinë të takimit të Bordit të Paqes, ku mund të gjeni versionin origjinal të fjalës në emër të Shqipërisë, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkuar kryeministri shqiptar në Facebook.
Rama, në fjalën e tij në takimin inaugurues të Bordit të Paqes në Washington, teksa ka përmendur edhe procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK’së në Hagë, iu drejtua Trump, duke i bërë thirrje të ndërmarrin veprime.
“Më lejoni shumë shkurtimisht t’ju tërheq vëmendjen te një tjetër konflikt i hapur ,më pranë vendit tim, ku udhëheqja e Presidentit Trump gjatë mandatit të tij të parë, e solli Kosovën dhe Serbinë më pranë se kurrë drejt një marrëveshjeje përfundimtare paqeje. Presidenti i Kosovës, që, asokohe, u ndalua të udhëtonte drejt Shtëpisë së Bardhë në mënyrë brutale për të nënshkruar atë marrëveshje, në praninë e presidentit Trump dhe në fakt kjo ishte çfarë u bë nga ai prokuror sikar që përndoqi edhe vetë presidentin Trump dhe për këtë u bë i famshëm botërisht. Sot, Presidenti i Kosovës ka kaluar gjashtë vjet në një paraburgim nga një gjykate e posaçme në Hagë, e sponsorizuar nga një sërë shtetesh demokratike, disa prej tyre të pranishme dhe këtu dhe që duhet t’u vijë turp nga ajo lloj drejtësie ndërkombëtare. Vetëm javën e kaluar, zoti President, një tjetër prokuror i financuar nga ky vend i madh e tatimpaguesit e tij, kërkoi 45 vjet burgim për të, një kërkesë që shkaktoi një valë tronditëse poshtërimi në të gjithë tërësinë e një vendi paqedashës.”, tha ai.