Bullgaria do ta bllokojë RMV-në?! MPJ pa koment, kushte-gjuha dhe historia maqedonase

 

Nga Ministria e Punëve të Jashtme thonë se ata nuk kanë marrë asnjë dokument me kushte, të cilin, siç thuhet në opinionin publik Sofja zyrtare e ka dërguar deri te Bashkimi Evropian. Nga kabineti i shefit të diplomacisë, Bujar Osmani, thonë se ata nuk do të komentojnë, sepse nuk dihet nëse dokumenti në fjalë është autentik, por nëse ekziston atëherë bëhet fjalë vetëm për “non-pejpër” mes Bullgarisë dhe BE-së.

“Ne nuk kemi dokument të tillë, nuk na e kanë dorëzuar dhe nuk dimë nëse kjo gjë është autentike, andaj për momentin nuk do ta komentojmë. Nëse është autentik, është dokument intern mes Bullgarisë dhe BE-së. Ata përmes dokumenteve non-paper bisedojnë derisa e formojnë kornizën negociuese që përpilohet në vendin tonë. Ne presim që Bullgaria të mbetet në qëndrimin se do ta mbështesë fillimin e negociatave dhe nuk pritet që ta pengojë këtë proces. Presim që ta marrim përkrahjen dhe kornizën negociuese”, thonë për TV21 nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Jozyrtarisht, në memorandumin të cilin Bullgaria ua ka dërguar vendeve-anëtare të BE-së, janë cekur dy kushte dhe një tezë për identitetin dhe gjuhën maqedonase, përcjell “Radio Evropa e Lirë”. Në të, Bullgaria ka kërkuar mbështetje për qëndrimet e saj – se marrëveshja bilaterale mes Shkupit dhe Sofjes, dhe marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore, duhet të jenë pjesë e kornizës negociuese në Kapitullin 35.

“Pohimet për minoritetet, të nxitura nga vendet e huaja janë të papranueshme. Bullgaria pres që Maqedonia e Veriut t’i realizojë përpjekjet e saj, t’i suspendojë politikat e lartpërmendura, me kohë t’i harmonizojë pozitat e saj dhe aktivitetet në organizatat ndërkombëtare me nenin 11 të Marrëveshjes dhe ta ndërpresë praktikën e saj të instrumentalizimit të formateve multilaterale dhe mekanizmave për ndjekje që të krijohet presion të panevojshëm ndaj Bullgarisë. Ky do të jetë parakusht për marrje të pajtueshmërisë nga Bullgaria për hapat e ardhshme në procesin e integrimit”, thuhet në memorandumin e Bullgarisë.

Në dokumentin në fjalë thuhet se maqedonasit ishin projekt i Titos, kurse gjuha maqedonase nuk ka ekzistuar deri më 2 gusht të vitit 1944 dhe se është dialekt në gjuhën bullgare.

“Bazat e kodifikimit dhe mënyra e zbatimit tregojnë se mund të konsiderohen vetëm si  normë e shkruar rajonale për gjuhën bullgare”, theksohet në memorandumin e Bullgarisë.

Por, a do të thotë kjo se Bullgaria do ta bllokojë rrugën e vendit tonë drejt BE-së? Disa funksionarë bullgarë paralajmëruan një gjë të tillë, siç është eurodeputeti nga Bullgaria, Kovaçev dhe ministri i Mbrojtjes, Karakaçanov.

Pikërisht sot, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, vendimin për hapje të negociatave, e quajti historik.

Vendimi para 6 muajve që të fillojnë negociatat aderuese me Shqipëri dhe Maqedonisë e Veriut ishte historik. Me të vërtet, e ardhmja e rajonit është në BE. Ne ndajmë histori të njëjtë, ndajmë fat të njëjtë. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës. Kjo nuk është vetëm një etapë në rrugën e mëndafshtë”, deklaroi Ursula Fon der Lajen – Kryetare e KE-së.

Së shpejti pritet komisioni i përbashkët maqedono-bullgar të mbajë takim në të cilin do të bisedohet për çështjet e hapura. Bashkëkryesuesi i palës maqedonase, Dragi Gjorgev thotë se Goce Dellçevi mbetet çështja më e kontestueshme, duke porositur se dialogu për këtë temë duhet të vazhdojë. Lidhur me mundësinë për bllokim të fillimit të bisedimeve të Maqedonisë me BE-në, thotë se ky do të ishte një vendim i gabuar politik, i cili mund t’i lëkundë raportet mes të dyja vendeve./21Media

Back to top button