Mustafa: Nuk na ka hije të mbajmë zgjedhje të rrethuar me njësi speciale
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa sot reagoi ndaj vizitës së liderit të VV-së, Albin Kurtit në Skënderaj, i cili atje dje është pritur me brohoritje nga disa qytetarë dhe është shoqëruar nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.
Kreu i LDK-së u shpreh se në Kosovë nuk është e hijshme të mbahen zgjedhje, të rrethuar me polici e njësi Speciale.
Sipas tij, zgjedhjet me dhunë nuk janë zgjidhje.
“Zgjedhet janë shprehje e lirë e qytetarëve për parlamentin e tyre. Nuk na ka hije të mbajmë zgjedhje të rrethuar me polici, me njësi speciale… zgjedhe nën tytat e armëve, njëzatenjëvjet pas çlirimit!? Askush s’është i pari nëse duhet të barikadohet për t’u takuar me qytetarët dhe askush nuk e meriton të dal i pari, në qoftë se mendon se një komune apo një territor është pashallëk i tyre.”, shkroi Mustafa në facebook.
Ai u shpreh se vendit i duhen zgjedhje demokratike.
“Dhuna prodhon dhunë. Më së paku demokraci. Me protagonistët e dhunës dhe kërcënimeve, në hygjymin e tyre për pushtet, po rrëshqasim keq në hasmëritë e kohës së viteve të pasluftës. Kjo nuk na nevojitet. Çdo fitore e tillë eventuale, e kujdo qoftë, është humbje. Kosovës i nevojiten zgjedhje demokratike, jo popullizëm i shfrenuar!”, shkroi tutje Mustafa./21Media