FIBA lavdëron FBK-në për organizimin e FIBA U16 European Challenger

 
FIBA Evropa përmes një letre i është drejtuar krerëve të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), kryetarit Arben Fetahu dhe sekretares së përgjithshme Elvira Dushku, duke i përgëzuar për organizimin e suksesshëm të FIBA U16 European Challenger në Prishtinë.
Grupi F i kësaj gare u zhvillua në Prishtinë nga data 16 deri më 21 gusht, përmes organizimit të FBK-së dhe FIBA-s.
Shtetet që morën pjesë në këtë garë ishin Kosova, Shqipëria, Moldavia, Malta, Gjibraltari dhe Luksemburgu, ku këtë të fundit “Dardanët” e mposhtën për tu shpallur kampionë.
Basketbollistët e rinj kosovarë në pesë ndeshje që i zhvilluan arritën të regjistrojnë një koeficient 100% të fitoreve, respektivisht duke shënuar në pesë takime pesë fitore.
“Në emër të FIBA Evropës, do të doja të shpreh mirënjohjen time për federatën tuaj nacionale për organizimin e një FIBA Youth European Challenger 2021 në vendin tuaj.
Mbështetja dhe përpjekjet tuaja në lidhje me organizimin, por veçanërisht zbatimin e plotë të protokolleve Covid-19 ishin elementet kryesore për zhvillimin e garave që për shumë federata nacionale mund të kenë qenë garat e para zyrtare për gjeneratat e reja pas përhapjes së pandemisë në vitin 2020. Edhe pse pandemia Covid-19 ende është e pranishme dhe ne mund të shohim ndikimin e saj negativ në shumë aspekte të jetës sonë të rregullt, fakti që ekipet tona mund të luanin në turne pa ndonjë problem të madh dëshmoi, se ne ngadalë, por sigurt po i kthehemi fushës së lojës.
Ne ju urojmë suksese me organizimin e edicionit tuaj të kampionateve nacionale 2021/22 dhe me padurim presim të shohim klubet tuaja dhe ekipet nacionale seniore në garat e ardhshme të FIBA”, shkruante drejtori ekzekutiv i FIBA-s së Evropës.

Back to top button