Anulohet shfaqja “La Rrem”, TKK bën të ditur arsyen

Shfaqja “La Rrem” e paraparë të mbahej në Teatrin Kombëtar të Kosovës më 17 e 18 janar, është anuluar.
TKK përmes një njoftimi në Facebook, ka treguar se njëra nga aktoret ka rezultuar pozitiv me Covid-19.
“Anulohet shfaqja “La rrem” që ishte në kalendarin mujor (17,18 janar), fakti që njëra nga aktoret e shfaqjes ka rezultuar të jet pozitiv. Të gjithë ata që kanë rezervuar apo blerë biletat, mjetet mund ti tërheqin në biletari çdo ditë pune ose mund ti shfrytëzojnë të njejtat në shfaqjen e ardhshme”, thuhet në njoftim.
E njëjta shfaqje ishte anuluar edhe një muaj më parë për shkak të ndërprerjes së ngrohjes së qytetit.
Së fundmi, aktorja Shengyl Ismaili shprehu shqetësimin e saj në lidhje me problemet me energji elektrike në vend.
“Të vdekurit mbajnë zi për atdheun” e paraparë të mbahej më 11 janar, ishte anuluar për shkak të mugesës së energjisë elektrike.
“Kosova shtet qe 13 vjet, por s’po shihet asgjë, s’ka rrymë”, ishte shprehur Ismaili.
“La Rrém” është shfaqje requiem për artistin shumëdimensional, aktorin, regjisorin, këngëtarin dhe dramaturgun Muharrem Qena.
“La Rrém” është dashuria dhe pasioni për artin, për të bukurën. Është kënga, që buron nga shpirti, nga vuajtja e nga gëzimi. La Rrémi ynë është universal. Ai i flet kohës edhe botës sonë. Kudo dhe kurdo. La Rrém është njeriu revoltues, kryengritës dhe mosnënshtrues”, kështu përshkruhet kjo shfaqje nga faqja zyrtare./21Media

Back to top button