Hoti: Kurti zero transparencë, emisarët po e njoftojnë opozitën për dialogun

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një reagimi në profilin e tij zyrtar ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke thënë se Kosova nuk po qeveriset dhe se krizat e reja po i mbulojnë të vjetrat.
“Kosova nuk po qeveriset. Krizat e reja po i mbulojnë të vjetrat. Kreu i Qeverisë, që më shumë rri jashtë vendit se brenda, mban konferenca për media për të menaxhuar krizat, e jo për të promovuar projekte e punë të reja. Zyrtarët e Qeverisë e nisin dhe e mbyllin ditën pa asnjë punë të kryer”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Tutje në reagimin e tij Hoti ka listuar grevën në arsim, krizën me rrymë, inflacionin dhe në fund edhe çështjen e dialogut.
Hoti ka thënë se për atë që po diskutohet në Bruksel dhe për atë se çfarë po i kërkohet Kosovës, opozita po njoftohet nga emisarët e negociatave, duke e akuzuar kryeministrin Albin Kurti për “zero transparencë”.
“Transparenca është zero. Askush nuk di se çfarë po bisedohet në Bruksel. Opozitën e informojnë ndërmjetësit e dialogut se çfarë po ndodh dhe çfarë po i kërkohet Kosovës”, ka shkruar Hoti./21Media

Back to top button