Liverpooli mposht Cityn në “Anfield Road”
Liverpooli ka arkëtuar tre pikë të mëdha pas fitores në derbi kundër Manchester Cityt në stadiumin “Anfield Road” me rezultat 1-0.
Pjesa e parë solli lojë të bukur me të dy skuadrat që kishin rastet e tyre, por intensiteti i lojës nuk ishte në nivelin e një derbi anglez.
Situata ndryshoi krejtësisht në pjesën e dytë me të dy ekipet që rritën agresivitetin e lojës dhe u hodhën në sulm për të kërkuar golin.
Megjithatë, përkundër lojës së hapur, goli i parë erdhi vetëm në minutën e 76’ kur Mohamed Salah e kaloi Liverpoolin në epërsi pas një kundërsulmi të shpejtë të nisur nga degazhimi i portieri Alisson Becker duke e vendosur egjiptianin në pozitët të mirë, ballë për ballë me portierin kundërshtar për të shënuar për 1-0.
Në vazhdim, loja mori një tjetër dimension duke u rritur edhe më tepër intensiteti i saj. Në minutat e fundit, Jurgen Klopp u ndëshkuar me karton të kuq për shkak të protestave ndaj gjyqtarit.
Pas kësaj fitoreje, Liverpooli ngjitet në vendin e tetë me 13 pikë, kurse Manchester City mbetet i dyti me 23 pikë, katër më pak se Arsenali që është lider i tabelës.